E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e garës në PD, Berisha: Vjen nga “përtacia” dhe frika për të humbur

Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka komentuar mungesën e garës për drejtimin e partisë, duke e cilësuar si pasojë të mungesës së vullnetit nga vetë funksionarët.

Gjatë një takimi me demokratët në njësinë nr. 5 në Tiranë, Berisha iu përgjigj një qytetareje që ngriti shqetësimin për mungesën e kandidatëve rivalë në zgjedhjet për kryetar.

Sipas tij, arsyeja kryesore pse nuk ka konkurrencë është “përtacia” dhe frika për t’u përballur me humbjen në zgjedhje.

“Shumica pretendojnë të provohen pa qenë të sigurt për rezultatin. Nuk duan të futen në garë pa garanci”, u shpreh Berisha, duke shtuar se kjo është një dukuri që haset edhe në parti të tjera, pavarësisht procedurave më demokratike që i japin anëtarësisë të drejtën e votës.

Ai theksoi se zgjedhja e kryetarit nga anëtarësia konsiderohet një praktikë gjithnjë e më e përhapur dhe më demokratike, ndonëse në shumë raste proceset zhvillohen pa kandidatë rivalë.

Ndërkohë, kujtohet se në garën për drejtimin e PD-së ishin regjistruar disa kandidatë, përfshirë Evi Kokalari, Ervin Salianji, Alesia Balliu, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, por të gjithë janë skualifikuar me argumentin se nuk përmbushnin kriteret statutore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›