E Martë, 3 Nëntor 2026

Murtaja e bagëtive, Bashkia e Shkodrës nis takime informuese me fermerët

Bashkia e Shkodrës, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë ka nisur një seri takimesh informuese me fermerët në të gjitha njësitë administrative. Qëllimi është ndërgjegjësimi për rreziqet që sjell murtaja e bagëtive të imta dhe marrjen e masave parandaluese.

Sot në Dajç, Velipojë dhe Bërdicë u zhvilluan takime me fermerët ku u diskutua për masat higjeno-sanitare, rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet lokale dhe u ofruan këshilla praktike për përballimin e situatës.

Bashkia e Shkodrës thotë se ka hartuar një plan të detajuar takimesh në bashkëpunim me të gjithë aktorët lokalë e qendrorë.

“Bashkia Shkodër dhe Ministria e Bujqësisë janë në krah të fermerëve në çdo hap, për të përballuar së bashku këtë sfidë dhe për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe blegtorisë”, njoftoi Bashkia e Shkodrës.

Kujtojmë se në fillim të qershorit, autoritetet në Shkodër kanë vendosur në karantinë një fermë në njësinë e Postribës, ku u shfaq murtaja e bagëtive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›