Musk mohon të ketë ofruar 45 milionë dollarë në muaj për të mbështetur Trump

Pronari i kompanive si Tesla, SpaceX dhe X, Elon Musk ka mohuar se po ofron 45 milionë dollarë në muaj për të mbështetur kandidaturën e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA duke siguruar se kontributi i tij është shumë më i vogël se kjo shumë.
“Është monstruoze. Unë bëj donacione për America PAC, por në nivele shumë më të ulëta se ato të raportuara nga gazeta financiare”, tha ai.
Emri i Elon Musk nuk figuron në listën e donatorëve të America PAC, e cila kishte mbledhur 8.75 milionë dollarë në fund të qershorit, sipas një deklarate financiare.
Në mars, Elon Musk, pasuria e të cilit vlerësohet në 233 miliardë dollarë nga faqja e revistës Forbes, tha se nuk do të mbështeste financiarisht asnjë kandidat.
Pas sulmit ndaj Donald Trump më 13 korrik, ai tha publikisht se mbështet ish-presidentin.
Në SHBA, shteti nuk siguron fonde të mjaftueshme për fushatat zgjedhore, andaj kandidatët kanë nevojë për financime të mëdha për të marrë pjesë në reklama miliona dollarësh, për të organizuar tubime duke udhëtuar nga një skaj në tjetrin të një prej vendeve më të mëdha në botë, për të përdorur në mënyrë efektive mediat sociale dhe për të hapur zyra zgjedhore dhe ekipe të fushatës.
Kështu që kandidati, fushata zgjedhore e të cilit financohet më mirë, ka mundësi të rrisë votat e tij duke arritur më shumë votues me më shumë reklama dhe tubime.
/rtsh.al/