E Premte, 6 Nëntor 2026

Musmurati: KfW-ja rikonfirmoi se Murati nuk po e nënshkruan kredinë 74 milionë euro për pastrimin e Prishtinës

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka deklaruar se Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk po e nënshkruan kredinë prej 74 milionë eurosh, e cila synon investimet në pastrimin e rajonit të Prishtinës.

Përmes një postimi në Facebook, Musmurati ka bërë të ditur se një ditë më parë, së bashku me kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Pastrimi”, kanë pritur në takim një delegacion të bankës gjermane KfW, nga i cili, sipas saj, është rikonfirmuar kjo çështje.


“Dje, së bashku me Kryeshefin e KRM Pastrimit, pritëm në takim delegacionin e KfW-së gjermane ku edhe njëherë na u rikonfirmua që Ministri i Financave nuk po e nënshkruan kredinë 74 milionëshe për pastrimin e rajonit të Prishtinës”, ka shkruar Musmurati.

Ajo ka akuzuar ministrin Murati se po e bllokon këtë investim për arsye politike.

“Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës”, ka deklaruar ajo.

Sipas Musmuratit, përmes kësaj kredie parashihen investime në 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë dhe një qendër për riciklimin e mbeturinave.

“100 kamionë të rinj, 10 mijë kontenjerë, qendër për riciklim të mbeturinave janë investime që po humbin sepse Hekuran Murati mbanë inate politike”, ka shkruar nënkryetarja e Prishtinës.

Ajo ka thënë se Komuna do të kërkojë forma të tjera për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit, por ka paralajmëruar se qytetarët nuk do ta harrojnë, sipas saj, përgjegjësinë për bllokimin e këtij investimi.

“Ne nuk do të ndalemi, do të gjejmë forma tjera të pastrimit të qytetit, por qytetarët e Prishtinës nuk do të falin papërgjegjësinë e skajshme të një partie që ka për qëllim bllokadën e jo zhvillimin”, ka përfunduar Musmurati. /Telegrafi/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›