Muzhaqi: Përzgjidhen delegatët rinorë të Shqipërisë në OKB

TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Që prej vitit 2019, Programi i Delegatëve Rinorë, i zhvilluar nga UNAA me mbështetjen e qeverisë shqiptare, u ka dhënë të rinjve shqiptarë mundësinë të jenë pjesë e zërit të rinisë shqiptare në Kombet e Bashkuara.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë sot në “Europe House”, ku u zhvillua debati final mes katër kandidatëve: Martina Qepa, studente e Shkencave Politike e angazhuar në diplomaci dhe vullnetarizëm; Ema Meçaj, studente e Mjekësisë dhe aktiviste në advokimin rinor e politikën ndërkombëtare; Edmirjano Preçi, sipërmarrës në fushën e teknologjisë dhe promovues i përfshirjes digjitale; dhe Alesia Dodaj, studente e Drejtësisë e përkushtuar ndaj fuqizimit të rinisë dhe përfshirjes sociale.
Finalistët ndanë vizionet e tyre mbi multilateralizmin, paqen e sigurinë, barazinë, ndryshimet klimatike, teknologjitë e reja dhe rolin e rinisë në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në përfundim, u përzgjodhën dy të rinjtë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në OKB për vitet 2025–2026, Ema Meçaj dhe Alesia Dodaj.
1 nga 7/gj.m/r.e//a.f/