NATO: Rriten shpenzimet e mbrojtjes. SHBA shprehen të kënaqura për hapat e ndërmarra nga vendet aleate

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte mblodhi këtë të enjtë në Bruksel ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtarë të aleancës për të diskutuar mbi objektivat dhe shpenzimet.
“Dhe ne e dimë tashmë se duhet të shpenzojmë shumë, shumë më tepër nëse duam t’i përmbushim të gjitha këto objektiva. Dhe, meqë ra fjala, duke bërë këtë, ne gjithashtu do të barazojmë shpenzimet midis Kanadasë dhe Evropës dhe Shteteve të Bashkuara” tha Rutte.
Diskutimi kryesor lidhet me shtimin e ndjeshëm të shpenzimeve të mbrojtjes së secilit shtet ndërsa Uashingtoni ka kërkuar arritjen në 5% të prodhimit të brendshëm bruto.
Sekretari amerikan Pete Hegseth u shpreh i kënaqur me frymën e diskutimeve paraprake.
“Mendojmë se kemi një konsensus shumë të ngushtë, pothuajse të barabartë, për një angazhim prej 5% për NATO-n. Ka disa vende që nuk janë ende atje. Nuk do të përmend emra por nga Franca në Gjermani, në vendet baltike, në vendet nordike, në Poloni, në Greqi, në Hungari dhe në shumë të tjera, angazhimi është 5% për shpenzimet e mbrojtjes”, tha Hegseth.
Më tej Hegseth theksoi angazhimin e Presidentit Trump për rigjallërimin e aleancës me kërkesat e tij që vendet anëtare të ndërmarrin hapa.
“Nuk kemi nevojë për më shumë flamuj, kemi nevojë për më shumë formacione luftimi. Nuk kemi nevojë për më shumë konferenca. Na duhen më shumë aftësi, fuqi e fortë. Tani është koha që Europa të bëjë një hap përpara”, tha ai.
Pas takimeve, sekretari i Përgjithshëm Rute do të mbajë një konferencë për mediat ku do të japë më shumë detaje.