E Hënë, 2 Nëntor 2026

NIGERI – 315 nxënës dhe mësues rrëmbehen në një shkollë katolike

ABUXHA, 22 nëntor /ATSH-AFP/ – Një shoqatë katolike njoftoi sot se numri i nxënësve dhe mësuesve të rrëmbyer një ditë më parë nga një shkollë katolike në Nigerinë qendrore kishte arritur në 315, në sulmin e dytë të tillë brenda një jave pas rrëmbimit të 25 nxënëseve në veriperëndim.

Shoqata e Krishterë e Nigerisë (CAN) deklaroi në një njoftim për shtyp se kishte rishikuar numërimin e mëparshëm prej 227 personash të zhdukur “pas një ushtrimi verifikimi dhe një regjistrimi përfundimtar”, pas rrëmbimit masiv që ndodhi të premten herët.

“Numri i përgjithshëm i viktimave të rrëmbyera (…) nga shkolla fillore dhe e mesme katolike “Shën Maria” në Papiri tani është 303 nxënës dhe 12 mësues”, sipas shoqatës.

Kjo shifër përfaqëson pothuajse gjysmën e të regjistruarve në shkollë (629 nxënës).

Autoritetet në shtetet fqinje të Katsinës dhe Plateau kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave si masë paraprake.

Rrëmbimi i fundit i nxënësve vjen pas një sulmi të armatosur, të hënën, kundër një shkolle të mesme në shtetin fqinj veriperëndimor të Kebbi, gjatë të cilit u rrëmbyen 25 vajza.

Këto dy rrëmbime masive dhe sulmi ndaj një kishe në Nigerinë perëndimore, i cili la dy të vdekur, ndodhën pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi me ndërhyrje ushtarake në Nigeri për atë që ai e quajti masakra kundër të krishterëve nga islamikët radikalë.

Nigeria mbetet në ankth edhe nga rrëmbimi i gati 300 nxënëseve nga xhihadistët e ”Boko Haram” në Chibok, më shumë se 10 vjet më parë.

Disa prej tyre janë ende të zhdukur./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›