NJU JORK – Guterres: Izraeli të heqë dorë nga plani që synon ndarjen e Bregut Perëndimor

NJU JORK, 21 gusht /ATSH-AA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i ka bërë thirrje sërish qeverisë izraelite të heqë dorë nga plani i saj për të ndarë Bregun Perëndimor të pushtuar.
Guterres lëshoi një deklaratë në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, pasi Izraeli dha miratimin përfundimtar për “Projektin E1”, i cili do të zgjerojë vendbanimet që u janë grabitur palestinezëve në Jeruzalemin Lindor të pushtuar dhe do të ndajë veriun nga jugu i Bregut Perëndimor.
“Ndërtimi i çdo vendbanimi në tokën palestineze të uzurpuar shkel ligjin ndërkombëtar. Duhet të tërhiqet vendimi i autoriteteve izraelite për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme që synojnë ndarjen e Bregut Perëndimor”, tha Guterres.
Ai theksoi rëndësinë jetike të parandalimit të vdekjeve dhe shkatërrimeve në shkallë të gjerë në Gaza dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric në një deklaratë më 15 gusht njoftoi publikisht thirrjen e Guterresit drejtuar Izraelit për të ndaluar planin “E1”.
“Pozicioni ynë është i qartë: vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor dhe regjimi i lidhur me to, u krijuan dhe mirëmbahen në shkelje të ligjit ndërkombëtar”, tha Guterres në deklaratën e tij.
“Projekti E1″ filloi për t’u lidhur me rrugën që të çon në Jeruzalemin Perëndimor, vendbanimin Maale Adumim, të ndërtuar pranë lagjes palestineze ”Azeriye”, e cila historikisht ka qenë pjesë e Jeruzalemit Lindor, por e vendosur në anën e Bregut Perëndimor.
Në kuadër të kësaj, 12 mijë hektarë tokë palestineze u uzurpuan për të ndërtuar më shumë se 4 000 vendbanime dhe hotele të paligjshme në rajon.
Me planin “Projekti E1” synohet izolimi dhe shkëputja e lidhjes së Jeruzalemit Lindor nga territoret palestineze në Bregun Perëndimor./ /os/