NJU JORK – OKB: SHBA shlyen 160 milionë dollarë nga borxhi prej afro 4 miliardë dollarësh

NJU JORK, 19 shkurt /ATSH/- Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stéphane Dujarric, njoftoi sot se administrata Trump ka bërë një pagesë prej rreth 160 milionë dollarësh në buxhetin e rregullt operativ të OKB-së, sipas AP.
Shuma totale e detyrimeve të papaguara të SHBA-së ndaj organizatës vlerësohet në afërsisht 4 miliardë dollarë.
Nga kjo shumë, rreth 2,196 miliardë dollarë i përkasin buxhetit të rregullt (duke përfshirë 767 milionë dollarë vetëm për vitin 2026), ndërsa 1,8 miliardë dollarë lidhen me buxhetin special për operacionet paqeruajtëse në të gjithë botën.
Pagesa vjen pas paralajmërimeve të përsëritura të sekretarit të përgjithshëm, António Guterres, i cili muajin e kaluar theksoi rrezikun e “kolapsit të afërt financiar” për OKB-në nëse nuk paguheshin detyrimet ose nuk reformoheshin rregullat financiare – një apel që iu drejtua SHBA-së, si kontribuesja më e madhe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë rreth 95% të borxheve të papaguara në buxhetin e rregullt.
Në vitin 2025, nuk u kryen pagesa dhe administrata e ka tërhequr vendin nga disa agjenci të OKB-së, përfshirë OBSH-në dhe UNESCO-n, dhe ka shkurtuar fondet për programe të shumta.
Ky veprim u bë publik në të njëjtën ditë kur presidenti amerikan, Donald Trump organizoi takimin e parë të Bordit të Paqes, një iniciativë e re që nga disa shtete – shihet si një përpjekje për të krijuar një mekanizëm paralel me Këshillin e Sigurimit të OKB-së në fushën e parandalimit dhe zgjidhjes së konflikteve.
Pagesa prej 160 milionë dollarësh përfaqëson një hap të kufizuar drejt reduktimit të borxhit masiv, por OKB-ja vazhdon të përballet me probleme të mëdha likuiditeti dhe po kërkon pagesa më të plota dhe të rregullta nga anëtarët kryesorë, për të shmangur ndikimet e mëdha në operacionet globale. //a.i/