E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORK – Venezuela, Rusia dhe Kina i kërkojnë SHBA-së lirimin e Maduros

NJU JORK, 5 janar /ATSH-DPA/- Venezuela, Rusia dhe Kina i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të lirojnë udhëheqësin venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores.

Pas sulmit të SHBA-së ndaj vendit të Amerikës së Jugut gjatë fundjavës, ambasadorët e Venezuelës, Rusisë dhe Kinës në OKB kritikuan atë që e quajtën veprim agresiv të SHBA-së, të cilin e klasifikuan si veprim kundër ligjit ndërkombëtar.

Në një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot në Nju Jork, Rusia dhe Kina dënuan fuqimisht sulmin e SHBA-së ndaj Venezuelës në fundjavë.

Rusia e përshkroi veprimin e SHBA-së si një paralajmërues të një kthimi në epokën e paligjshmërisë dhe dominimit të SHBA-së me forcë, kaosit dhe mungesës së ligjit, i cili vazhdon të prekë dhjetëra shtete në rajone të ndryshme të botës.

“Asnjë vend nuk mund të veprojë si policia e botës, as të pretendojë të jetë gjykatësi ndërkombëtar”, tha Kina.

Si Kina ashtu edhe Rusia janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rusia kritikoi sulmin e SHBA-së – e cila po vepronte si një gjykatëse globale e vetëshpallur për motive ekonomike dhe politike dhe për të shfaqur fuqinë e saj.

“Nuk ka asnjë justifikim për këtë”, tha përfaqësuesja e Rusise në OKB, duke shtuar se heshtja në këshill do të përbënte një erozion të rendit ndërkombëtar.

Përfaqësuesi kinez theksoi se mjetet ushtarake nuk ishin zgjidhje për problemet. Sipas tij, përdorimi arbitrar i forcës do të çonte vetëm në një krizë më të madhe. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›