E Diel, 1 Nëntor 2026

Naftëtarët kundër “Bankers”! Protestë para zyrave të kompanisë: Ju nuk e meritoni këtë vendburim

“Ju nuk e meritoni këtë vendburim”! Me këtë thirrje dhe pankarta në duar naftëtarët e Patos -Marinzës, kanë vijuar për të dytën ditë radhazi protestën para zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, në ditën e 16-të të grevës.

Pavarësisht se kompania vijon të heshtë pa ofruar asnjë zgjidhje konkrete, punonjësit thonë se nuk do të ndalen.

Pjesë e grevës prej 16 ditësh, Dorjan Dylmishi, ka pohuar se rezistenca do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave.

Kreu i Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, Dritan Shahu, theksoi se mosreagimi i kompanisë tregon papërgjegjshmëri.

“Ata e kanë marrë burimin për ta zhvilluar, por ata po e shfrytëzojnë atë dhe bashkë me të po shfrytëzojnë edhe punonjësit. Çdo vit ka ulje të fuqisë punëtore dhe amortizim të asaj që është trashëguar ndër vite”, ka thënë Shahu teksa ka theksuar se ende nuk ka një vendim mbi vijimësinë e grevës, duke patur parasysh që as kompania nuk po reagon e as shteti shqiptar nuk po ndërhyn si ndërmjetësues.

Pavarësisht bojkotit të punonjësve, kompania po vijon punën me firmat kontraktore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›