E Diel, 1 Nëntor 2026

Napoli rikthet te fitorja, kampionët e Italisë lënë pas zhgënjimin në Champions dhe mposhtin Fiorentinën

Napoli është rikthyer te fitorja në Serie A pas një ecurie jo shumë të mirë. Skuadra e Antonio Contes mposhti me rezultatin 2–1 Fiorentinën në fushën e vet, në një sfidë të vlefshme për javën e 23-të të kampionatit italian.

Dueli u zhvillua në ritme të larta dhe mbeti i hapur deri në fund, edhe për meritë të Fiorentinës, e cila zhvilloi një ndeshje pozitive. Të zotët e shtëpisë kaluan shpejt në avantazh pas golit të shënuar në minutën e 10-të nga Antonio Vergara. Vetëm pak çaste më vonë Napoli ishte pranë dyfishimit, por miqtë patën fat pasi Comuzzo devijoi topin në shtyllë duke shmangur autogolin.

Me kalimin e minutave, “vjollcët” rritën presionin dhe iu afruan disa herë barazimit. Spikati veçanërisht një goditje në shtyllë nga Picolit si edhe një rast i pastër nga Gonzalez.

Pjesa e dytë ishte edhe më interesante. Napoli shënoi shumë shpejt golin e dytë, një realizim i bukur nga mbrojtësi Gutiérrez. Megjithatë Fiorentina u rikthye në lojë duke ngushtuar diferencën me golin e Solomon.

Deri në fund pati shumë emocione, pasi Fiorentina bëri gjithçka për të barazuar, ndërsa Napoli, mes vuajtjesh, arriti të mbrojë avantazhin dhe të sigurojë tre pikë të arta.

Kampionët në fuqi ngjiten në kuotën e 46 pikëve dhe për momentin renditen në vendin e dytë, duke pasur parasysh se Roma, Milan dhe Inter kanë ende ndeshjet e tyre për të luajtur.

Sot në fushë zbresin edhe kryesuesit zikaltër, që luajnë në transfertë ndaj Cremoneses, ndërsa Juventusi do të përballet me Parman në transfertë./vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›