Nata e madhe e “Grammy 2026”, Kendrick Lamar dominon me 9 nominime, rikthehet festa në Los Angeles

Sipari i edicionit të 68-të të Çmimeve Grammy ngrihet këtë të diel, duke sjellë një atmosferë krejtësisht të ndryshme nga ajo e vitit të kaluar.
Nëse ceremonia e vitit 2025 u karakterizua nga solemniteti dhe fokusi tek ndihmat humanitare pas zjarreve në Los Angeles, viti 2026 rikthen vëmendjen plotësisht te muzika dhe spektakli. Në “Crypto.com Arena”, yjet më të mëdhenj si Kendrick Lamar, Lady Gaga dhe Bad Bunny do të përballen për trofetë më prestigjiozë të muzikës.
Komediani Trevor Noah rikthehet si prezantues për të gjashtin vit radhazi, duke njoftuar se kjo do të jetë edhe hera e tij e fundit në këtë rol.
Nominimet, Lamar në krye të listës
Reperi Kendrick Lamar kryeson garën e fortë të këtij viti me nëntë nominime gjithsej. Pas tij, me nga shtatë nominime secili, vijnë Lady Gaga, producenti Jack Antonoff dhe kompozitori kanadez Cirkut.
Gara mbetet e hapur edhe për emra si Sabrina Carpenter, Bad Bunny, Leon Thomas dhe inxhinieri i zërit Serban Ghenea, të cilët numërojnë nga gjashtë nominime. Ndërkohë, artistë si SZA, Tyler, the Creator dhe grupi Clipse garojnë me nga pesë nominime.
Kush performon sonte?
Skena pritet të ndizet nga performancat e yjeve botërorë përfshirë Justin Bieber, Bruno Mars, Rosé (nga BLACKPINK), Lady Gaga dhe Tyler, the Creator. Një moment i veçantë do t’i kushtohet kategorisë “Artistja e re më e mirë”, ku do të performojnë të tetë të nominuarit, përfshirë grupin global të vajzave “Katseye” dhe fenomenin e rrjeteve sociale, Addison Rae.
Homazhe për legjendat
Mbrëmja do të ketë momente emocionuese përkujtimore:
Ozzy Osbourne do të nderohet nga një super-grup i përbërë nga Post Malone, Slash, Chad Smith dhe Duff McKagan.
Lauryn Hill do të ngjitet në skenë për t’i bërë homazhe ikonave D’Angelo dhe Roberta Flack.
Segmenti “In Memoriam” do të drejtohet nga Reba McEntire, Brandy Clark dhe Lukas Nelson.
/rtsh.al/