Ndahet nga jeta Agim Molla, interpretues i ahengut shkodran

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ U shua sot i fundit nga interpretuesit e ahengut shkodran, Agim Molla.
Me interpretimin e tij të veçantë dhe shpirtin e përkushtuar ndaj artit, Agim Molla u bë pjesë e pandashme e gëzimeve të shumë familjeve shkodrane. Ai mbetet në kujtesën kolektive si një ashik i vërtetë i muzikës tradicionale, një zë që e bëri ahengun të jetojë edhe kur koha ndryshonte.
Ahengu shkodran, një traditë muzikore me rrënjë që nga fundi i shekullit XVIII, u zhvillua si një përzierje mjeshtërore e melodive orientale me ndjeshmërinë dhe stilin vendor shkodran. Këngët e ahengut nuk ishin thjesht riprodhime muzikore, por krijime të gjalla, të transformuara nga ahengxhinjtë vendas që sollën ritme, melodi e emocione të veçanta në zemrën e qytetit.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër publikoi në rrjetet sociale, si homazh, pak minuta nga Regjistri Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, projekt i zbatuar nga Ministria e Kulturës në vitin 2019 me mbështetjen e UNESCO-s.
/r.e/a.f/