Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Gjergji Mena - ATSH -
TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit Gjergji Mena.
“Me dhimbje të pafundme dhe zemër të thyer, njoftojmë ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit tonë të dashur, aktorit të ri dhe të talentuar të teatrit dhe ekranit, Gjergji Mena.
Skena e teatrit dhe ekrani humbën sot një shpirt krijues, një djalë plot pasion, energji dhe dritë, i cili la pas kujtime të paharrueshme dhe një gjurmë që nuk do të shuhen kurrë”, shkruan QKK, duke u shprehur ngushëllimet familjes dhe komunitetit artistik për këtë humbje.
Ngushëllime shprehu edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, duke e cilësuar Gjergj Menën si një artist të talentuar, regjisor dhe aktor që ia kushtoi krijimtarinë e tij skenës dhe frymëzimit të brezave të rinj.
Gjergj Mena ndërroi jetë në moshën 41-vjeçare. Për shtatë vite me radhë, ai drejtoi me dashuri e përkushtim festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”. Përmes punës së tij, qindra të rinj e të reja u afruan me skenën dhe mësuan ta duan teatrin.
Shfaqja “Yerma”, vepra e tij e fundit, u prit me shumë sukses dhe dëshmoi edhe një herë ndjeshmërinë e tij artistike. Ikja e tij e këput kaq herët një rrugëtim që kishte ende shumë për të dhënë. 41-vjeçari do të përcillet në banesën e fundit sot, në orën 14:00, në varrezat e Sharrës.
/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
