Ndahet nga jeta ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi/ Rama: Lamtumirë profesor!

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare ish-deputeti socialist e njëkohësisht ish-kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.
Lajmin e ka dhënë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Lamtumirë Profesori ynë i madh Servet Pëllumbi! Sa shumë do donim të të kishim në ditëlindjen e 35-të të Partisë sonë Socialiste, të cilës i dhe shumë nga vlerat e tua në kohë të vështira kur u desh ta drejtoje. Kuvendit të Shqipërisë i dhe gjithashtu vlerë me drejtimin tënd të pazëvendësueshëm.
U prehsh në paqe Profesor Serveti!
Kuvendi i Shqipërisë, Partia Socialiste dhe familja do të njoftojnë në vijim ceremonitë në respekt të këtij njeriu të madh”, shkruan Balla.
Me zemër të thyer, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
“Lamtumirë profesor i dashur!”, shkruan ai.
Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor 1936 në Korçë.
Ai do të kujtohet si një prej figurave, që ka luajtur rol kryesor në zhvillimet politike të vendit që prej fillimeve të tranzicionit.
Pëllumbi ka pasur një karrierë të gjatë politike ne Partinë Socialiste dhe Kuvendin e Shqipërisë ndërsa është dekoruar nga presidenti Moisiu me urdhrin “Gjergj Katsriot Skënderbeu”.