Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare sopranoja Luiza Papa Çako

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare sopranoja Luiza Papa Çako.
Një nga emrat më të spikatur të skenës lirike shqiptare, ajo la një trashëgimi të çmuar në muzikën klasike shqiptare, por edhe në muzikën popullore përmes Ansamblit të Këngëve, duke kënduar në treva të ndryshme të vendit dhe në turne jashtë Shqipërisë.
Karrierën e nisi pas kthimit nga studimet në Rusi. Pas martesës me tenorin Gaqo Çako, ajo filloi punë në Teatrin e Operës, ku bëri një karrierë të lavdërueshme, jo vetëm në interpretimet e saj të ndjera, teknikën vokale, por edhe elegancën artistike.
20 janë rolet në operë – nga “Lola”, Nina, Dona Paskuale, Rigoleto, Mamica te “Skënderbeu”, Dava te “Mrika”, por edhe në operetën me tri akte sipas komedisë së Spiro Çomorës, me libret të Luigj Gurakuqit dhe muzikë të Avni Mulës, “Karnavalet e Korçës”, në rolin e Nastasës, duke mbetur e paharruar në kujtesën e publikut.
Përveç kontributeve të saj në muzikë, Çako ishte një figurë e rëndësishme e jetës kulturore të Tiranës në vitet ’60, duke u bërë edhe një ikonë e modës dhe stilit të asaj kohe.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/