Ndahet nga jeta regjisori i njohur i Teatrit “Migjeni”, Edmond Mëhilli

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Aktori dhe regjisori i mirënjohur shkodran, Edmond Mëhilli, një figurë e njohur e skenës dhe kulturës shqiptare ndërroi jetë sot, në moshën 79-vjeçare.
Edmond Mëhilli lindi më 23 gusht 1947 në Shkodër. Në vitin 1970 përfundoi Institutin e Lartë të Arteve dhe filloi karrierën si regjisor në Pukë (1970-1974), më pas në Estradën e Shkodrës për 15 vite (1974-1989). Ai ka punuar gjithashtu në Radio Shkodra dhe në Shtëpinë e Kulturës së rrethit të Shkodrës, ndërsa pas vitit 2003 u angazhua në Teatrin “Migjeni”.
Si regjisor, Mëhilli u dallua për trajtimin e hollësishëm të gjestit, fjalës dhe situatave komike, duke i dhënë publikut karaktere të besueshme dhe mizanskena të balancuara.
Në vitin 1980 cilësohet si regjisori më i mirë në Festivalin e Estradave Profesioniste të vendit.
Seria e shfaqjeve “Ditë buzëqeshjesh” në vitet 1983-1984 fitoi çmimin e parë, ndërsa sezonin 1985-1986 u vlerësua si ndër më të mirët në takimet e humorit mes estradave profesioniste të Shkodrës.
Edmond Mëhilli ka vënë në skenë komedinë “Gomari i Baba Tasit” të Gjergj Fishtës (1992) së bashku me trupën e aktorëve të Teatrit “Migjeni”.
Përveç regjisurës, Mhilli ka shkruar disa pjesë skenike, ku spikat drama “Një histori e thjeshtë”. Ndër shfaqjet e tij të njohura pas vitit 2000 është edhe “Ylli i mëngjesit”.
Kontributi i tij ka lënë një gjurmë të rëndësishme në teatrin dhe humorin shqiptar, duke e bërë emrin Edmond Mëhilli një referencë për gjeneratat e reja të artistëve.
Gjithashtu ka luajtur në një rol të vogël në filmin “Militanti”.
Homazhet për Edmond Mëhillin do të zhvillohen më 10 janar, nga ora 09:00 deri në 12:00, në hollin e Teatrit “Migjeni”.
Në një reagim zyrtar, Teatri shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe komunitetin e artistëve.
/r.e/