Ndalen reshjet e shiut, bora mbulon Dibrën, rrugët kryesore të hapura

Në Qarkun Dibër reshjet e shiut kanë pushuar, duke i lënë vendin borës në zonat malore. Në lartësitë mbi 1000 metra, bora ka arritur deri në 10 centimetra, por pa shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve.
Fshatrat Lurë, Kalaj e Dodës dhe Arras janë mbuluar nga dëbora, ndërsa rrugët që i lidhin me Peshkopinë vazhdojnë të mbeten të hapura. Edhe në Bulqizë, reshjet e borës kanë prekur zonat e Tërnovës së Madhe e të Vogël, si dhe disa fshatra të njësisë administrative Martanesh.
Në Mat, situata vijon të jetë problematike në rrugët rurale, të cilat janë dëmtuar nga reshjet e shumta të shiut të ditëve të fundit. Për shkak të prurjeve të mëdha në lumin Mat dhe degëzimet e tij, HEC-et Ulëz dhe Shkopet kanë hapur portat shkarkuese.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës meteorologjike dhe të infrastrukturës në të gjithë qarkun.
/vizionplus.tv