Ndalimi i të rinjve shqiptarë në RMV, reagon Bardhi: Kjo është pengmarrje shtetërore

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dënuar ashpër ndalimin e rreth 40 të rinjve shqiptarë nga policia e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar ngjarjen si “pengmarrje shtetërore”.
Sipas Bardhit, të rinjtë shqiptarë janë mbajtur për afro 9 orë në pikat kufitare, pa akuza, pa shpjegime dhe pa respektim të të drejtave minimale njerëzore.
Ai e konsideroi skandaloz faktin që studentë shqiptarë, shumica të moshës 18-20 vjeç, janë trajtuar si kriminelë vetëm pse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ky nuk është kontroll kufitar. Kjo është pengmarrje shtetërore”, deklaroi Bardhi.
Deputeti demokrat kritikoi edhe heshtjen e institucioneve shqiptare, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria Shqiptare apo Ministria e Jashtme për trajtimin e të rinjve shqiptarë.
Sipas tij, autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni se të rinjtë janë lëvizur nga kufiri me Shqipërinë drejt Kumanovës dhe më pas pranë kufirit me Serbinë, pa procedura normale dhe pa sqarime zyrtare.
Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për mungesë reagimi dhe braktisje të qytetarëve shqiptarë.
“Kjo nuk është diplomaci. Është kapitullim dhe braktisje e turpshme e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.