Ndarja nga jeta e kryeinspektor Gazmen Metës, Manja: Punonjës i devotshëm, mik i çmuar për kolegët

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeinspektor Gazmen Nazmi Metës.
“Sot, Policia e Burgjeve ka një Kryeinspektor më pak… Si pasojë e një arresti kardiak, u nda nga jeta një punonjës i devotshëm, korrekt dhe një mik i çmuar për kolegët: Kryeinspektor Gazmen Nazmi Meta, i cili këtë gradë e mori me meritë vetëm dje”, theksoi Manja.
“Që nga viti 2014, Gazmeni shërbeu për 11 vite me përkushtim pranë IEVP “Ali Demi” si punonjës i rolit bazë, duke u bërë shembull i ndershmërisë, korrektësisë dhe dashurisë për detyrën”, u shpreh ministri i Drejtësisë.
Ministri Manja nënvizoi se, bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit.
“Në këto çaste të rënda për familjen dhe kolegët e tij, si Ministër i Drejtësisë siguroj se bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit tonë. U prehsh në paqe, Gazmen! Mirënjohje e përjetshme për shërbimin dhe kontributin tënd për sistemin e burgjeve në Shqipëri”, shkroi Manja në një postim në rrjetet sociale.
/gj.m/r.e//a.f/