Nderimi i forcave antizjarr nga Rama, reagon PD: Tallje, u nevojiten mjete e jo dekorata

Partia Demokratike i konsideron tallje dekoratat e shpërndara sot nga kryeministri Edi Rama ndaj ushtarakëve, zjarrfikësve e policëve që u angazhuan në luftën ndaj zjarreve me të cilat u përball vendi ynë në muajt e fundit.
PD-ja ja faturon përgjegjësinë e dëmeve nga zjarret Kryeministrit Rama, ndërsa thekson se forcat zjarrëfikëse më tepër se dekorata, kanë nevojë për mjete, rroga e infrastrukturë kundër zjarrit.
“Ndërkohë që Partia Demokratike e vlerëson lart sakrificën, vetmohimin e pjesëtarëve, të Forcave të Armatosura, të Reparteve të Zjarrfikësve, të ekipeve të Emergjencave, në betejat me zjarret në mbarë vendin. Por ajo deklaron se ata nuk kanë nevojë për lëvdata boshe dhe medalje ari apo bronzi, nga Ramaduro dhe narko-zyrtarë të tjerë përgjegjes kryesor për demet e jashtzakonshme të zjarreve këtë verë. Por ata kanë nevojë për mjete, infrastrukturë kundër zjarrit, përkujdesje, rroga, bonuse dhe sidomos respekt njerëzor dhe institucional.
Kur Forcat e Armatosura dhe Zjarrfikësit dalin me degë pishash dhe lopata për të fikur zjarret, dhe më pas u dorëzon medalje ari, kjo është tallje, jo nderim”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa numërojnë milionat e eurove që sipas PD-së kanë shkuar për abuzime, vjedhje e çartera privatë nga kryeministri, kryebashkiaku e ministrja Balluku, PD nënvizon se këto para mund të kishin shkuar për investim në avionë, helikoptëre e mjete zjarrëfikëseje.
“Partia Demokratike deklaron se me: -24 milionë euro të përdorura për çarterin privat nga Edi Rama; -130 milionë euro të vjedhura nga Edi Rama, Erion Veliaj tek djegësi i Tiranës; -50 milionë euro të vjedhura nga Rama-Balluku në Tunelin e Llogarasë; -4 milionë euro të përdorura për Kopshtin e varur në oborrin e Kryeministrisë; -7 milionë euro për “Giro d’Italia”;
Shqipëria mund të kishte blere 10 avionë, 5 helikopterë dhe 150 zjarrfikëse për shuarjen e zjarreve dhe ajo nuk do të kishte sot atë bilanc katastrofik djegie pyjesh, kullotash dhe pasurish që pësoi”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri Edi Rama nderoi sot me medalje 24 ushtarakë, zjarrfikës dhe policë që u angazhuan në luftën me zjarret që përfshinë vendin tonë në 2 muajt e fundit.
/rtsh.al/