E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërprerja e energjisë në QSUNT, Ngjelo: Pajisjet jetëshpëtuese funksionuan, nuk u cenua siguria e pacientit

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Erjon Ngjelo tha se se mbrëmjen e ditës së hënë u evidentuan problematika në furnizimin me energji elektrike.

Ngjelo tha në një mesazh sqarues për qytetarët se kjo avari teknike u shkaktua nga një defekt madhor në linjën e tensionit të lartë, jashtë territorit të QSUNT-së.

“Ditën e hënë rreth orës 20.20 për shkak të një avarie në linjën e tensionit të lartë 110 kV të nënstacionit “Autotraktori”, nga e cila furnizohet edhe QSUNT, patëm një ndërprerje të energjisë elektrike, por të gjithë gjeneratorët që furnizojnë qendrën spitalore u aktivizuan dhe nuk pati problem në godina”, tha Ngjelo.

Ai shtoi se edhe gjeneratori i godinës A1 u ndez, por paneli i kësaj godine dedektoi një avari.

“Si pasojë e kësaj avarie nuk u bë i mundur transmetimi i energjisë edhe në këtë godinë. Menjëherë teknikët e gatishmërisë që po merreshin me riparimin e problemit, njoftuan OST-në për të futur linjën e dytë e cila furnizon QSUNT. Edhe kjo linjë erdhi me parametrat teknikë jo të duhur. U komunikua me operatorin e shpërndarjes për të futur linjën kryesore”, vijoi Ngjelo.

Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse në QSUNT theksoi se në pak minuta, pasi erdhi linja kryesore, teknikët e gatishmërisë rikthyen në gjendje pune gjithë sistemin.

“I vetmi problem që kishte në godinën A1 ishte mungesa e ndriçimit. Por, për të gjitha pajisjet jetëshpëtuese që ndodhen në reanimacionin qendror ka funksionuar sistemi i tyre të back up-it dhe në asnjë moment nuk është cenuar siguria e pacientit”, përfundoi Ngjelo.

QSUNT njoftoi më herët se ka ngritur grupin e punës për verifikimin e situatës. QSUT siguroi qytetarët se situata u menaxhua me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›