E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërron jetë në moshën 66-vjeçare aktori i njohur Naun Shundi

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Aktori i njohur Naun Shundi u nda sot nga jeta në moshën 66-vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehu gatishmërinë për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme për aktorin Shundi.

Në një postim në rrjetet sociale Teatri Kombëtar shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit, dramaturgut Naun Shundi.

“Me talentin, pasionin dhe përkushtimin e tij, ai i dha skenës shqiptare një pasuri të pashlyeshme artistike dhe njerëzore. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë të gjalla në zemrat tona. Lamtumirë, Naun”, thuhet në postimin e Teatrit Kombëtar.

Naun Shundi dha një kontribut të çmuar për më shumë se katër dekada në fushën e aktrimit, regjisurës dhe dramaturgjisë. Gjatë karrierës së tij, Shundi interpretoi mbi 100 role në teatër dhe mori pjesë në rreth 20 filma.

Përveçse aktor dhe regjisor, ai ishte edhe themelues i teatrit të parë privat në Shqipëri, “Zonja e Bujtinës”.

Aktori Naun Shundi lindi më 3 shkurt 1959 në Tiranë. Në vitin 1977 u diplomua për regji në shkollën e Mesme të Kulturës dhe më 1983 në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve dhe më pas u emërua aktor në Teatrin Kombëtar.

Më 1985 u transferua regjisor në Pallatin e Kulturës “Dardania“ në Bajram Curri dhe më 1986 rikthehet në Teatrin Kombëtar.

Më 1989 u vlerësua aktori më i mirë në Olimpiadën Teatrore për rolin më të mirë “Jovan Bregu” në “Pallati 176“.

Më 1993-2000 ishte pedagog i mjeshtërisë së aktorit, regjisurës dhe fjalës artistike në degën e regjisë, Akademia e Arteve.

Më 1995 u specializua për regji pranë Teatrit Kombëtar dhe Katedrës së Regjisë në Akademine e Teatrit e të Filmit në Bukuresht.

Shfaqja e fundit që vetë Shundi shkroi dhe vuri në skenë ishte monodrama “Njeriu i Pyllit”.

/k.s/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›