E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare artisti i njohur britanik, David Hockney

Artisti britanik David Hockney, një nga emrat më të shquar të artit bashkëkohor në shekujt XX dhe XXI, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga publicistja e tij, Erica Bolton, e cila bëri të ditur se artisti u shua në paqe në shtëpinë e tij më 11 qershor 2026, vetëm një muaj para se të festonte 89-vjetorin.

“Artisti i famshëm britanik David Hockney, një nga figurat më të rëndësishme në artin bashkëkohor si në shekullin e 20-të ashtu edhe në atë të 21-të, ndërroi jetë në paqe në shtëpi më 11 qershor 2026, një muaj para ditëlindjes së tij të 89-të”, deklaroi Bolton.

I konsideruar si një prej artistëve më me ndikim të kohës së tij, Hockney la gjurmë të pashlyeshme në botën e artit përmes krijimtarisë së tij të larmishme dhe eksperimentimit të vazhdueshëm me teknika e forma të ndryshme shprehjeje artistike. Ai punoi me pikturë, fotografi, gravura, litografi dhe më vonë u bë një nga artistët e parë që përqafoi teknologjinë digjitale, duke krijuar vepra edhe përmes iPad-it.

Karriera e tij mori hov në vitet 1960, kur u shndërrua në një nga figurat më të njohura të artit britanik. Me stilin e tij të veçantë dhe përdorimin e ngjyrave të forta, Hockney arriti të tërhiqte vëmendjen e kritikëve dhe publikut, duke mbetur një emër dominues në galeritë dhe muzeumet më prestigjioze të botës për më shumë se gjysmë shekulli.

Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij erdhi në vitin 2018, kur një prej pikturave të tij ikonike me tematikën e pishinave u shit për gati 70 milionë paund në ankand, duke vendosur në atë kohë një rekord për veprën më të shtrenjtë të shitur nga një artist i gjallë. Megjithëse arriti sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, Hockney shpesh shprehte habinë për interesin e madh të publikut ndaj veprës së tij. Ai e përshkruante filozofinë e tij artistike me një parim të thjeshtë: “Pikturo gjërat që të pëlqejnë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›