E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndezi zjarr në varrezat e fshatit Barbullush, një i arrestuar në Vaun e Dejës

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Policia e Vaut të Dejës ka arrestuar në flagrancë një person, i cili dyshohet se ndezi zjarr në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre.

Policia njoftoi sot se, “si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasin L. Rr., banues në fshatin Barbullush”.

Sipas policisë, ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre. Nga flakët, sipas policisë, nuk janë dëmtuar varret.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›