Ndihmoi 6 emigrantë të paligjshëm të kalonin kufirin, arrestohet shtetasi sudanez në Korçë

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Një shtetas sudanez është arrestuar nga policia plicia e Korçës, pasi ndihmoi 6 emigrantë për të kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacionin një nga vendet e BE-së.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Itinerari 2” u arrestua në flagrancë shtetasi M. J., 24 vjeç, banues në Darfur, Sudan.
“Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në vendin e quajtur “Fusha e Parë”, mbi fshatin Drenovë, Korçë, pasi nga veprimet hetimore dhe informacionet e siguruara në rrugë operative dyshohet se ka ndihmuar 6 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë”, njoftoi policia.
Sipas policisë po punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, edhe për shtetasin O. C., 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.
Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
/m.q/