Ndotja e mjedisit në Pojan, apel për ndërgjegjësim dhe masa ndëshkuese ndaj shkelësve

Zona periferike e fshatit Pojani në bashkinë Maliq vijon të përballet me problematikën e hedhjes së mbetjeve urbane dhe plehut organik në vende të papërshtatshme. Kjo situatë jo vetëm që ndikon negativisht në pamjen dhe pastërtinë e zonës, por përbën edhe rrezik për shëndetin e banorëve dhe mjedisin. Administratori i Njësisë Pojan bën thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, duke theksuar se mbajtja e pastër e territorit është përgjegjësi e përbashkët.
“Para disa ditësh kemi bërë një aksion për largimin e inerteve të depozituara në argjinaturën e lumit Devoll. I bëj thirrje banorëve që të ndërgjegjësohen pasi hedhja e plehrave është në dëm të shëndetit tonë dhe mjedisit ku jetojmë”, tha Kreshnik Azo, Administrator i Njësisë Pojan
Ndërkohë, Policia Bashkiake ka paralajmëruar nisjen e kontrolleve dhe vendosjen e masave ndëshkuese për personat që ndotin mjedisin. Banorët ftohen të bashkëpunojnë duke depozituar mbetjet në vendet e përcaktuara dhe duke kontribuar në ruajtjen e një ambienti të pastër, të shëndetshëm dhe më të jetueshëm për komunitetin. Ruajtja e mjedisit është një detyrim ndaj vetes, brezave të ardhshëm dhe natyrës që na rrethon.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/