E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndreca: Shqiptarët i’a hapim derën çdo mysafiri. Sot Shqipëria është një realitet i ri ekonomiko-politik

Deputeti socialist Plarent Ndreca u shpreh në studion e RTSH-24 se kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Athinë ka shprehur nevojë për zgjidhjen e disa çështjeve ende mes palëve, por gjithashtu ka folur dhe për marrëveshjet që kanë përparuar.

“Në takimin e djeshëm z. Rama përmendi disa nga marrëveshjet që kanë përparuar me shtetin grek dhe ky aspekt u përmend në fjalimin e kryeministrit. Është një ushtrim i përditshëm, i përmuajshëm, i përvitshëm i qeverisë shqiptare për të realizuar të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë”.

Sot Shqipëria është një realitet i ri , tha Ndreca, që sikurse e theksoi ai, “ky është një kontribut i padiskutueshëm i shqiptarëve në diasporë, por dhe i shqiptarëve në Shqipëri që të kemi sot një realitet krejtësisht tjetër për Shqipërinë“.

Ndaj tha ai, ky është kontribut që Shqipëria të jetë sot në këtë nivel ekonomik, shoqëror, social, por dhe në marrëdhënie ndërkombëtare.

Por gjatë fjalimit të tij kryeministri, i bëri ftesë gjithë atyre që të rikthehen dhe të japin kontributin e tyre në shtetin mëmë.

“Gjithashtu z.Rama në fjalinë e tij iu bëri të qartë dhe shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri që vendi jonë çdo ditë dhe më shumë është më pranë Evropës , është pranë standardëve me të cilat ata janë mësuar në Greqi, Itali, Gjermani , e kudo. I bëri një ftesë të hapur që kushdo është i lirë dhe i mirëpritur që të investoj në Shqipëri.”

Më tej deputeti Ndreca duke komentuar lajmin që në disa media greke e kanë quajtur vizitën e kryeministrit Edi Rama si një vizitë e një ‘mysafiri të pa ftuar’ ai tha se, “ ne shqiptarët i hapim derën çdo mysafiri.

“Megjithatë ky nuk ishte mysafir i tillë sepse Kryeministri Rama po shkonte të takonte shtetasit e tij por dhe shtetasit grek. Sikurse ne e pamë nga pritja, entuziasti dhe pjesëmarrja tregoi që ai nuk ishte i paftuar por ishte shumë i mik pritur.

Një pjesë e mirë e tyre janë të barabarë me shtetasit grekë. Ata janë bashkëkombësit tanë, por sot përbëjnë realitet për Greqinë.“

Deputetit Ndreca tregoi optimizëm kur tha se takimet e tjera të turit të kryeministrit Rama do të jenë dhe më entuziaste, por dhe më të lehta për t’u organizuar.

“Mendoj se organizimet e tjera do të jenë më të lehta për tu realizuar jo vetëm në kuptimin infrastrukturor apo logjistik por dhe në atë politik. Ne nuk mund ta mohojmë faktin që ky takim u realizua në momentin më të mirë të marrëdhënieve tona me Greqinë. Unë mendoj se marrëdhëniet me vendin fqinjë janë ftohur për shkak të situatës së tyre politike por jo të Shqipërisë. Ndoshta për shkak të situatave atje dhe situatave të brendshme krijoi në farë vështirësie në logjistik. Ndaj mendoj që në vendet e tjera do jetë më e lehtë realizimi i takimeve ku dhe entuziasmi do të shtohet.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›