Ndryshime në ligjin “Antidiskriminim”, Balla: Të dënohet gjuha e urrejtjes dhe shqetësimi si formë dhune

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur shqyrtimin e ndryshimeve thelbësore në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Nisma ligjore është prezantuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai argumentoi para ligjvënësve domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve, duke theksuar se “zhvillimi i hovshëm teknologjik dhe kulturor ka sjellë në sipërfaqe forma të reja dhe të sofistikuara të diskriminimit, të cilat ligji aktual nuk i mbulon plotësisht.”
Në fjalën e tij, Balla nënvizoi se një nga prioritetet e këtij projektligji është forcimi i kuadrit ligjor kundër gjuhës së urrejtjes, një fenomen, sipas tij, gjithnjë e më shqetësues në platformat digjitale dhe diskursin publik.
“Projektligji synon mbrojtjen nga format e reja të diskriminimit të shfaqura për shkak të zhvillimit historik dhe teknologjik të shoqërisë, si dhe përafrimin e legjislacionit vendas me direktivat e BE-së,” u shpreh Balla.
Relatorja e çështjes, deputetja Erjona Ismaili, vlerësoi nismën si një hap të rëndësishëm për të drejtat e njeriut, duke konfirmuar përputhshmërinë e saj me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Pas diskutimeve parimore, Komisioni vendosi që shqyrtimi i detajuar i neneve të vijojë në mbledhjet e ardhshme.
Risitë e projektligjit
Drafti i ri sjell disa koncepte të reja juridike për të mbrojtur qytetarët:
Koncepti i “Shqetësimit”
Për herë të parë, futet termi “shqetësim” si një formë e njohur ligjore e diskriminimit, duke zgjeruar spektrin e veprimeve të dënueshme.
Përkufizimi i viktimës
Saktësohet qartësisht se kush konsiderohet viktimë e diskriminimit dhe ndalohet rreptësisht “viktimizimi” i mëtejshëm i tyre.
Zgjerimi i subjekteve
Rrethi i mbrojtjes nuk do të kufizohet vetëm brenda territorit. Ligji do të mbrojë shtetasit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, shtetasit e huaj rezidentë në Shqipëri, personat pa shtetësi, si dhe çdo subjekt fizik dhe juridik nën juridiksionin shqiptar.
/rtsh.al/