E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në qeveri, Bardhi: Disa emra ishin kthyer në shqetësim nga partnerët ndërkombëtarë

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se ndryshimet në kabinetin qeveritar nuk përbëjnë asnjë surprizë, duke shtuar se një pjesë e tyre i kishte paralajmëruar më herët.

Gjatë një interviste televizive, Bardhi tha se disa prej emrave të larguar ishin kthyer në shqetësim partnerët ndërkombëtarë për shkak të, siç tha ai, cenimit të sigurisë kombëtare.

“Asnjë surprizë në ndryshimet në qeveri. Një pjesë të ndryshimeve i kam paralajmëruar në seancën e së enjtes, pasi një pjesë e tyre janë kthyer në shqetësim real për partnerët tanë ndërkombëtarë për shkak të cenimit të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, një vend anëtar i NATO-s”, tha Bardhi.

Bardhi nënvizoi se gjatë 13 viteve të qeverisjes së socialistëve janë ndërruar rreth 50-60 ministra. Sipas tij, edhe pse qeveria aktuale ka vetëm pesë muaj në detyrë, tashmë është zëvendësuar gati gjysma e kabinetit.

Ai ngriti dyshime mbi emërimet e reja në qeveri, duke pretenduar se disa prej tyre rezultojnë nën hetim nga SPAK.

“Po t’i kërkosh, gjysmat e këtyre që ka emëruar sot, janë edhe ata nën hetim nga SPAK”, tha Bardhi.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›