E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon ligji për lejet minerare/ Leje përfitojnë dhe individët, jo vetëm kompanitë

Jo vetëm kompanitë, por edhe personat fizikë vendas apo te huaj do të mund të përfitojnë leje minerare në Shqipëri. Kjo është një nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri për sektorin minerar, i publikuar për konsultim publik.

Sipas draftit, e drejta për të aplikuar për leje minerare do t’u njihet edhe personave fizikë, me argumentin se edhe një individ mund të përmbushë kriteret teknike, financiare dhe mjedisore të kërkuara për aktivitetin minerar

Ndryshim parashikohet edhe për garancinë financiare. Ajo nuk do të jetë më e detyrueshme të vendoset vetëm në një bankë në Shqipëri, por mund të lëshohet edhe nga banka të huaja, përfshirë bankat në vendet e Bashkimit Evropian.

Për kompanitë që disponojnë leje kërkim-zbulimi, drafti redukton gjithashtu detyrimin për raportim. Në vend të raportimit çdo tre muaj, subjektet do të raportojnë çdo gjashtë muaj.

Rregulla më të qarta përcaktohen edhe për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit. Subjekti duhet të marrë miratimin e ministrit, ndërsa kërkesa duhet të paraqitet të paktën 45 ditë përpara. Pezullimi mund të zgjasë deri në dy vjet.

Projektligji parashikon ndërkohë rregullimin e minierave sipërfaqësore për projektet publike, ku kushtet dhe procedurat për dhënien e lejeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Drafti forcon edhe mbrojtjen e mjedisit, duke detyruar kompanitë të rehabilitojnë zonat e shfrytëzuara brenda 12 muajve pas përfundimit ose revokimit të lejes.

Ndryshimet synojnë lehtësimin e procedurave për operatorët minerarë dhe krijimin e mundësive për më shumë subjekte që të operojnë në sector. Ndryshimet synojne perafrimin e legjislacionit minerar shqiptar me standardet e bashkimit europian, ndersa projektligji ndodhet ende në fazën e konsultimit./abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›