E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 15-vjetorin e ’21 Janarit’, xhaxhai i Aleks Nikës shkon në SPAK: Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi!

Këtë të mërkurë, kur janë bërë plot 15 vite nga ngjarja tragjike e njohur si “21 Janari”, ku katër protestues u vranë në protestën e thirrur nga Partia Socialiste, xhaxhai i Aleks Nikës (njërit prej viktimave), Mark Nika ka mbërritur në ambientet e SPAK-ut.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se Nika është paraqitur sot për një takim me Prokurorin e Çështjes, Alfred Shehun.

Paraditen e sotme, Nika mbajti një prononcim të shkurtër para mediave, ku bëri thirrje që drejtësia të zbardhë vrasjen e nipit të tij dhe tre protestuesve të tjerë sa më shpejt. Ai theksoi se çështjen tanimë ia kanë lënë SPAK-ut në dorë.

“21 Janari për ne ishte ditë tragjike. Koha për politikanët, pushtetarët dhe diplomatët e huaj mbaroi. Çështja e 21 Janarit nuk është më një debat politik, por një çështje penale që kërkon përgjegjësi ligjore dhe drejtësi të plotë.

Sot shpresa jonë e vetme është vendosja e drejtësisë dhe ndëshkimi i autorëve të vrasjes së 21 Janarit nga SPAK-u. E vërteta duhet të dalë në dritë dhe përgjegjësit duhet të përballen me ligjin pa asnjë mbrojtje apo ndikimi politik. Shpresa e fundit për të bërë drejtësi dhe për të ndëshkuar vrasësit është në duart e hetuesve dhe Prokurorisë Speciale që ka dosjet në dorë. Kjo nuk është koha për lojëra politike, apo shmangje përgjegjësish. Është koha për sqarim të plotë para opinionit publik dhe për veprime konkrete në institucionet kompetente.”, tha Nika.

Më tej ai kujtoi se familjarët e viktimave të ngjarjes së “21 Janarit” kishin marrë mbështetje edhe nga ambasadorët e vendeve të huaja në vendin tonë.

“Shpresojmë se ambasadorët e vendeve aleate të na dëgjojnë. Ata na kanë premtuar se do të na mbështesin në kërkesat tona të pareshtura për drejtësi. Dhe sot ky angazhim moral dhe  institucional është më i domosdoshëm se kurrë. Shoqëria shqiptare pret që drejtësia të funksionojë realisht. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Nuk kërkojmë përjashtime, por barazi para ligjit. Kujtesa nuk duhet të zhbëhet dhe përgjegjësia nuk mund të harrohet. Kemi besim te SPAK dhe gjykata e Strasburgut për drejtësi.”, deklaroi Nika.

Sjellim ndërmend se më herët ditën e sotme, në godinën e Kryeministrisë u zhvilluan homazhe me rastin e 15-vjetorit të 21 janarit 2011, ku katër qytetarë humbën jetën në protestën e thirrur nga Partia Socialiste.

Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij para familjarëve të viktimave u shpreh se situata u përshkallëzua pas përpjekjes së policisë për të shpërndarë tubimin ende pa u mbledhur. Sipas tij, armët u ulën në drejtim të qytetarëve me urdhër duke marrë katër jetë të pafajshme dhe duke plagosur disa të tjetër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›