Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në fshatrat e Mirditës dhe Bulqizës vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Ministria e Mbrojtjes ndau foto të efektivëve të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore dhe Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile të Komandës Mbështetëse, gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve, të dislokuar në Mirditë dhe Bulqizë.
Sipas njoftimit zyrtar të MM-së në Qafë Buall, bashkia Bulqizë zjarri është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale dhe kanë ndërhyrë 2 helikopterë. Situata është më e qetë dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa.
Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80 forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.
Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang, bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.
1 nga 4

/m.q/j.p/