E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Kryeministri Fatos Nano është takuar sot paradite me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci. Në fillim të takimit, Z.Daci i ka uruar Kryemini

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Kryeministri Fatos Nano është takuar sot paradite me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci.

Në fillim të takimit, Z.Daci i ka uruar Kryeministrit Nano mirëseardhjen në Kosovë, duke theksuar se kjo vizitë ka qenë e mirëpritur për të ndikuar dhe nxitur jo vetëm marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, por edhe rolin e stabilitetit dhe paqes që shqiptarët kanë dhe do të kenë edhe në të ardhmen në rajon.

Kryeministri Nano i ka shprehur Z.Daci rolin e rëndësishëm që zë Kosova në programin dhe axhendën e aktiviteteve të institucioneve të larta shtetërore shqiptare.

Bashkëbiseduesit janë ndalur në zhvillimet inkurajuese dhe ecurinë pozitive të proceseve demokratizuese në Kosovë, konsolidimin e institucioneve vetqeverisëse kosovare dhe përpjekjet e tyre në bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar për përmbushjen e standarteve dhe demokratizimin e mëtejshëm të Kosovës. Z.Nano ka shprehur mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për përmbushjen e standarteve për Kosovën dhe planin e zbatimit të tyre, si rruga më e mirë për ta përgatitur Kosovën të shkojë sa më shpejt drejt përcaktimit të statusit të saj.

Në këtë drejtim, Z.Nano ka vënë në dukje kontributin e Kuvendit për marrjen e masave për përmbushjen e këtyre standarteve dhe krijimin e klimës së bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndëretnik, për shpërbërjen e strukturave paralele, si dhe për vazhdimin e dialogut dhe thellimin e privatizimit.

"Kuvendi i Kosovës është konsoliduar tashmë si forumi më i lartë përfaqësues, ku nëpërmjet paraqitjes së mendimeve, alternativave, objeksioneve inkurajohet konsolidimi i bazës institucionale, integrimi i të gjitha komuniteteve dhe ndërmarrja e nismave konkrete që u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kosovës", tha Kryeministri Nano. Ai ka rikonfimuar vullnetin e Qeverisë Shqiptare për thellimin dhe shtrirjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis institucioneve shqiptare dhe kosovare.

Në këtë kuadër është vlerësuar shkëmbimi i eksperiencës dhe qarkullimi i përvojës dhe informacionit të përbashkët në fushën e legjislacionit, gjë që do të çojë përpara procesin e integrimit. Në këtë funksion shihet me mjaft interes bashkëpunimi edhe nëpërmjet grupeve të punës dhe komisioneve parlamentare të Kuvendeve respektive.

Duke u ndalur në nivelin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik mes të dy vendeve, Z.Nano ka nënvizuar në këtë drejtim si shumë të rëndësishëm nënshkrimin gjatë vitit 2003 të Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë dhe asaj për Mbrojtjen e Investimeve, hapja dhe pasurimi me shërbimin doganor i pikave kufitare etj.. Ai ka shprehur vullnetin dhe gadishmërinë e Qeverisë Shqiptare për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Më tej, Z.Nano ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare për çështjet e mëdha me të cilat përballet Kosova, si një tregues i rëndësishëm i përgjegjshmërisë dhe aftësisë së udhëheqësve kosovarë për të drejtuar vendin e tyre drejt përmbushjes së standarteve perëndimore demokratike. "Vlerësojmë qëndrimin e institucioneve dhe spektrit politik kosovar në tërësi për përparimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel të grupeve teknike të punës, çka e afirmon më shumë Kosovën si faktor të rëndësishëm rajonal", tha Kryeministri Nano. Duke rikonfirmuar gadishmërinë e Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e dialogut si rrugë e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve praktike që prekin jetën e përditshme të entiteteve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës është shprehur se Kuvendi i Kosovës është i vendosur për të hartuar legjislacionin e nevojshëm për plotësimin e standarteve, gjë që do të çonte drejt statusit final.

Z.Daci vuri në dukje se tashmë janë identifikuar resurset e Kosovës, të cilat janë të shumta që qytetarët kosovarë të përmirësojnë jetën dhe standartet e tyre të jetesës. "Ne, - tha ai, - nuk kemi dashur e nuk do të dëshirojmë dhunë e terror, por vetëm stabilitet, paqe e zhvillim për Kosovën, Shqipërinë dhe krejt rajonin".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›