E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në gusht u ekzekutuan 5.502 çështje nga Përmbarimi, mbi 72 mln lekë të ardhura në janar–gusht 2025

Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror ka publikuar statistikat për muajin gusht 2025, ku vihet re një rritje e të ardhurave dhe të çështjeve të ekzekutuara krahasuar me një vit më parë.

“Kemi një numër prej 50.465 çështjesh në total, të cilat janë çështje progresive. Për periudhën janar–gusht 2025 nga e njëjta periudhë e vitit 2024 kemi një rritje prej 14 milionë lekësh,” tregon Ergys Qirici, kreu i Përmbarimit Shtetëror.

Ai është ndalur edhe te ndryshimet që, sipas tij, i duhen bërë Kodit të Ri Penal për sa i përket përmbaruesve.

“Ne kemi propozuar që përmbaruesi gjyqësor të trajtohet njësoj si përmbaruesi i policisë në rast të mosbindjes së urdhrit të punonjësit të policisë, sepse kemi konstatuar disa raste kur përmbaruesi gjyqësor shkon për të bërë një lirim-dorëzim sendi dhe figura e tij është cenuar,” shton z. Qirici.

Prioritet i Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror janë edhe shtresat vulnerabël, ku bëjnë pjesë edhe të miturit.

“Në bashkëpunim me donatorët, me Ministrinë e Drejtësisë, ne jemi munduar që të krijojmë një ambient sa më të përshtatshëm. Qëllimi dhe plani ynë është që të shtrihemi në çdo zyrë përmbarimore ose më saktë në 22 zyra përmbarimore,” thotë drejtori i Përmbarimit Shtetëror.

Vetëm në muajin gusht janë trajtuar 29 ankesa, dy prej të cilave nga platforma e bashkëqeverisjes dhe 27 janë adresuar direkt në institucion.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›