Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 39-vjeçari në Shijak

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Një 39-vjeçar i dënuar në Itali, me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike, është arrestuar në Shijak.
Policia njoftoi sot se “në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me Shërbimet Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 57″”.
“Gjatë këtij operacioni, u kap në fshatin Hardhisht, Shijak, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Fatjan Stafa, 39 vjeç, banues në fshatin Pjezë, Durrës”, njoftoi Policia.
Sipas Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 08.10.2024, e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.
/m.q/r.e/