Në kufij me Ukrainën, Rusia mban stërvitje të forcave bërthamore

Rusia ka nisur “fazën e parë” të stërvitjeve të forcave taktike bërthamore pranë kufirit me Ukrainën. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se “stërvitjet synojnë të mbajnë gatishmërinë e personelit dhe pajisjeve të njësive luftuese të armëve bërthamore jo strategjike për t’u përgjigjur dhe garantuar integritetin territorial dhe sovranitetin e federatës ruse”.
Në hapësirën ku po mbahen stërvitjet gjendet në rajonet jugore ruse, që janë në kufi me Ukrainën, Krimeja që Rusia e aneksoi paligjshëm nga Ukraina më 2014 dhe katër rajonet ukrainase që Rusia thotë se i ka aneksuar më 2022, dhe të cilat i kontrollon pjesërisht.
Në armët taktike bërthamore bëjnë pjesë bombat ajrore, kokat bërthamore për raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe municionet e artilerisë. Këto lloje armësh janë më pak të fuqishme sesa armët strategjike, që janë raketa balistike ndërkontinentale, me koka të mëdha bërthamore që mund të shkatërrojnë qytete të tëra.
Më 6 maj kur Rusia njoftoi për mbajtjen e këtyre stërvitjeve, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se ato do të mbaheshin në përgjigje “të deklaratave provokuese dhe kërcënimeve nga zyrtarë të caktuar perëndimorë drejtuar Federatës Ruse”.
/RTSH/