Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme. Kështu, u miratua projektligji "Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimi
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme.
Kështu, u miratua projektligji "Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime".
Hartimi i këtij projektligji synon:
•Forcimin e rregullave të licensimit të shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, ndërmjetësimit dhe veprimtarive të tjera që rrjedhin drejtpërsëdrejti nga kjo veprimtari, si p.sh. aktuarët, vlerësuesit e dëmeve, konsulentët, etj.
•Forcimin e rregullave të mbikqyrjes së veprimtarisë së shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, dhe ndërmjetësimit në sigurime.
•Shtimi i instrumentave të mbikqyrjes nëpërmjet krijimit të një sistemi kontrollues dhe rregullator, në funksion të ruajtjes së një tregu të stabilizuar.
•Rritja e kërkesave për ushtrimin e funksioneve drejtuese dhe administruese në shoqërinë e sigurimit.
•Përcaktimin e rregullave për likuidimin dhe falimentimin e shoqërive të sigurimit dhe risigurimit.
•Përcaktimin në mënyrë specifike të sanksioneve ndaj shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, ndërmjetësave dhe punonjësve të tyre.
•Mbrojtjen e interesave të të siguruarve.
Projektligji i ri në krahasim me ligjin ekzistuese saktëson elementë të cilat ishin evazive në ligjin e mëparshëm dhe fusha e veprimit të ligjit është shtrirë edhe për veprimtari që nuk përfshiheshin në ligjin ekzistues.
U miratua projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e autoritetit mbikqyrës të sigurimeve".
Projektligji synon rritjen e pavarësisë institucionale dhe operacionale me qëllim ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të tij në mbrojtje të interesave të të siguruarve, si dhe rritjen e pavarësisë së organit vendimmarrës në këtë proces.
Po ashtu, projektligji synon rritjen e operativitetit të organit ekzekutiv në ndjekjen e vendimmarrjes, si dhe në rritjen e buxhetit të Autoritetit për të përmbushur objektivat e tij.
Ky projektligj sjell disa ndryshime. Kështu është ndryshuar emërtimi i institucionit nga Komisioni Mbikqyrës i Sigurimeve në Autoriteti Mbikqyrës i Sigurimeve, terminologji e përdorur në legjislacionin ndërkombëtar të sigurimeve. Njëkohësisht, ky Autoritet është institucion qëndror në varësi të Këshillit të Ministrave.
Po ashtu, drejtimi i institucionit është parashikuar të jetë i ndarë nga ai vendimmarrës, gjë e cila mundësohet nga mospërfshirja e organit drejtues në atë vendimmarrës.
Për të patur një pavarësi të anëtarëve të organit kolegjial vendimmarrës (Bordi), emërimi i tyre është parë e arsyeshme të bëhet nga Këshilli i Ministrave me propozim të Kryeministrit, Ministrit të Financave, Ministrit të Ekonomisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Bankës së Shqipërisë. Kriteret e kandidaturave për t'u emëruar si anëtarë të këtij Bordi, apo si Drejtues të Ekzekutivit dhe rastet e largimit dhe shkarkimit të tyre janë të parashikuara në këtë projektligj.
Një element tjetër i rëndësishëm është edhe raportimi i Autoritetit, i cili në këtë projektligj është parashikuar të bëhet në Këshillin e Ministrave.
U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit "Menaxhimi i mbetjeve urbane të Tiranës"".
Programi "Menaxhimi i mbetjeve urbane të Tiranës" synon reduktimin e rrezikut kundrejt mjedisit dhe shëndetit që mund të vijë si rrjedhojë e administrimit të papërshtatshëm të sistemit të mbledhjes dhe asgjesimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Tiranës, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës.
Programi ka si objektiva specifikë:
1-Rritjen e sigurisë në pikën e shkarkimit të mbeturinave në Sharrë, duke reduktuar në mënyrë drastike ndotjen e zonës dhe duke e kthyer atë në një zonë të pastër në çdo stinë.
2-Fuqizimin e sistemit të mbledhjes dhe transportit të mbetjeve të ngurta urbane në zonat periferike.
3-Përforcimin e kapaciteteve menaxhuese teknike dhe organizative të personelit të caktuar për administrimin e mbetjeve të ngurta urbane në zonat periferike, si dhe përgatitja e një grup rregullatorësh me normativë rajonale dhe kombëtare për menaxhimin e integruar të mbetjeve, si dhe mbrojtjen e mjedisit.
Burimet financiare të nevojshme për realizimin e programit janë si më poshtë:
1-Fond grant prej 400 000 Euro për realizmin e të gjithë aktiviteteve në kuadrin e fazës së parë të programit që përfshin punime emergjente të parashikuara për të përmirësuar gjëndjen në pikën e shkarkimit të Sharrës.
2-Kredi ndihme në shumën 6 000 000 Euro për realizimin e ndërhyrjes kryesore, që konsiston në punime për sistemimin e pikës së shkarkimit të Sharrës, aktivitetet e së cilës përfshijnë:
-Ndërhyrjen infrastrukturore dhe lëvrimin e pajisjeve të sigurimit për pikën e shkarkimit të Sharrës.
-Lëvrimin e pajisjeve për të furnizuar sistemin e mbledhjes së mbetjeve të ngurta urbane (MNU) në zonat periferike.
-Sigurimin e shërbimeve të specializuara për të përforcuar kuadrin menaxhues organizativ dhe normativ.
3-Fondet e Qeverisë Shqiptare janë të barazvlefshme me rreth 1.200.000.000 (një milion e dyqind mijë) euro të cilat do të përdoren për kostot lokale (TVSH-në, taksat doganore dhe portuale).
U miratua vendimi "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Zjarreve në Pyje dhe Kullota".
Kjo strategji i jep zgjidhje shumë problemeve dhe mangësive të hasura për menaxhimin e zjarreve në pyje dhe kullota. Strategjia është abzuar në studimin e fizibilitetit. Efekti financiar i zbatimit të saj llogaritet në 280 milion lekë, duke filluar nga viti 2005 dhe do të përballohen nga Buxheti i shtetit, drejtoria e Pëgjithshme e Pyjeve dhe financime të huaja. Implementimi i Strategjisë kërkon ndryshime në strukturën e shërbimit pyjor, si dhe blerjen e mjeteve dhe pajisjeve, prandfaj dhe miratimi i saj vë në baza institucionale koordinimin e punës me të gjithë aktorët që përfshihen në këtë proces.
U miratua vendimi Për propozim Kuvendit të Shqipërisë së kandidaturave alternative për anëtarë të komisionit të konkurencës".
Komisioni i konkurencës i ngritur me ligjin "Për mbrojtjen e konkurencës" është organ vendimarrës dhe përbëhet nga pesë anëtarë, dy prej të cilëve propozohen nga Këshilli i Ministrave me kandidatura alternative. Ky komision vepron si organ kolegjial i përhershëm.
Pas dorëheqjes së njërit prej anëtarëve të këtij komisioni, Këshilli i Ministrave i propozon dy kandidatura alternative për këtë vend:
•Z. Raimond Cimbi – diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Ekonomik në vitin 1987.
•Z. Sherif Hoxha – diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Ekonomik në vitin 1977, si dhe Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996.
Kandidaturat e paraqitura plotësojnë kriteret e ligjit të konkurencës dhe miratimi i tyre i hap rrugën funksionimit të Komisionit të Konkurencës.
U miratua Vendimi për "Miratimin në parim të Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për Stërvitjen "Adriatic Phiblex 2004-02 Engineerex"
Në kuadrin e marrëveshjes "Për krijimin e Forcës Shumëkombëshe të Europës Juglindore" dhe protokolleve të saj shtesë, në Kroaci është planifikuar të zhvillohet stërvitja "Adriatic Phiblex 2004-02 Engineerex"
Ky memorandum është përgatitur duke u mbështetur gjithashtu në Marrëveshjen e Shteteve pjesëmarrëse në NATO dhe të vendeve të PtP për statusin e forcës (SOFA), ratifikuar me ligjin nr.8034,datë 22.11.1995. Qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit është që të vendosë politikat dhe proçedurat për sigurimin e mbështetjes së vendit pritës (Kroacisë) ndaj forcave pjesëmarrëse në stërvitje, për arritjen e objektivave të përcaktuara për Stërvitjen "Adriatic Phiblex 2004-02 Engneerex".
Vendi pritës (Kroacia) do të mbështesë forcat pjesëmarrëse, përfshirë këtu sigurimin, forcat e policisë, forcat e mbështetjes civile, njësitë mjeksore etj. Ai është gjithashtu përgjegjës për sigurimin e mbështetjes llogjistike, sipas marrëveshjes teknike, të bëjë përpjekjet e nevojshme për të siguruar hyrjen, zhvillimin e stërvitjes dhe largimin e trupave, të koordinojë dhe monitorojë qarkullimin rrugor për sigurimin e lëvizjes normale të trupave të stërvitjes "Adriatic Phiblex 2004-02 Engineerex".
Vendi dërgues (Shqipëria) ka përgjegjësi të zhvillojë stërvitjen në përputhje me objektivat e stërvitjes, të sigurojë mbështetje llogjistike, të koordinojë lëvizjen e materialeve të rrezikshme me grupin mbështetës të vendit pritës, të sigurojë që personeli i tij të zbatojë ligjet e vendit pritës dhe të marrë masa efektive për këtë. Pjesëmarrësit do të zbatojnë rregullat e vendit pritës për mbrojtjen e mjedisit.
U miratua Vendimi për "Miratimin e akteve dhe të dokumentave kryesore të Kongresit XXII të Bashkimit Postar të Përbotshëm".
Me qëllim zhvillimin e komunikimit tradicional postar, nëpërmjet funksionimit efektiv të shërbimeve postare, të bazuar në një rrjet fizik të shtrirë në të gjithë botën nga vende të ndryshme për kryerjen e shërbimeve postare ndërkombëtare, vendi ynë ka aderuar mw 1 mars tw 1992 në Organizatën e Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), të themeluar në 1874.
Vendet anëtare të Bashkimit Postar të Përbotshëm nën kujdesin e saj formojnë një territor të vetëm postar për shkëmbimin reciprok të objekteve të postës së letrave. Kongresi është organi supreme i Bashkimit dhe përbëhet nga përfaqsuesit e vendeve anëtare, i cili në kushte të zakonshme mblidhet çdo pesë vjet. Aktet e Bashkimit të nxjerra nga Kongresi, firmosen nga të plotëfuqishmit e vendeve anëtare. Kongresi i XXII i Bashkimit Postar të Përbotshëm është mbajtur në Pekin më 1999 dhe nga ky Kongres kanë dalë katër akte të cilat kanë pësuar ndryshime.
Qëllimi i këtij Vendimi është miratimi i dokumentave, të cilat kanë pësuar ndryshime në Kongresin e XXII të UPU-së dhe të gjitha aktet finale të këtij Kongresi janë firmosur nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kinë, në bazë të plotëfuqishmërisë të dhënë nga Kryeministri.
U miratua Vendimi për "Miratimin në parim të Konventës "Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale".
Kjo konventë ka për qëllim të sigurojë në territorin e çdo shteti pale, çdo individi, pavarësisht nga kombësia apo vendndodhja, respekt për të drejtat dhe liritë themelore, në veçanti të drejtën për jetën e tyre private, në lidhje me operacionet e përpunimit automatik të të dhënave personale që kanë të bëjnë me të.
Miratimi i kësaj konvente, në zbatim edhe të Konventës Europiane "Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut"zgjeron garancitë për të drejtat dhe liritë e të gjithëve, duke marrë parasysh fluksin në rritje ndërkufitar të të dhënave personale që i nënshtrohen përpunimit automatik. Sipas kësaj konvente, informacioni i cili u nënshrohet operacioneve të përpunimit me mjete automatike, duhet të sigurohet dhe të përpunohet me drejtësi dhe në përputhje me ligjin, të ruhet jo tej qëllimeve legjitime të specifikuara, të jetë i saktë, i rinovueshëm dhe i identifikueshëm.
U miratua Vendimi për "Miratimin në Parim të Protokollit Shtesë të Konventës "Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale nga organet mbikëqyrëse dhe fluksi ndërkufitar i të dhënave"
Duke marrë parasysh rritjen e shkëmbimeve të të dhënave personale tej kufijve kombëtare që i nënshtrohen përpunimit automatik, është e nevojshme të sigurohet mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, veçanërisht e drejta e jetës private në lidhje me këto këmbime të të dhënave personale.
Protokolli shtesë i Konventës kaparashikuar në nenin 2 të saj parashikon ngrotjen e një apo më shumë organeve kompetente, të cilat gëzojnë pushtet investigues dhe ndërhyrës. Këto organe duhet të sigurojnë që të arrihet përputhja me masat në ligjin e brëndëshëm, duke bërë të efektshme parimet e caktuara në konventë, në mënyrë që informacioni i cili u nënshtrohet operacioneve të përpunimit me mjete automatike, duhet të sigurohet dhe të përpunohet me drejtësi dhe në përpuyhje me ligjin, të ruhet vetëm për qëllime legjitime të specifikuara, të jetë i saktë, i rinovueshëm dhe i identifikueshëm.
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për bashkëpunim shkencor dhe teknik".
Marrëveshja do të zhvillojë dhe institucionalizojë bashkëpunimin në këto fusha midis dy qeverive dhe do ta vërë atë në dobi të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve. Marrëveshja parashikon rregullimin e koordinuar të marrëdhënieve institucionale të bashkëpunimit midis institucioneve të të dy vendeve në drejtim të:
1)Shkëmbimit të ekspertëve, të specialistëve dhe shkencëtarëve;
2)Realizimit të projekteve të përbashkëta në kërkimin shkencor e zhvillimin teknologjik në fusha me interesa reciprok;
3)Realizimit të veprimtarive të përbahskëta shkencore, si konferenca, workshop-e, seminare etj.
4)Aplikimit dhe pjesëmarrjes së përbashkët në programet ndërkombëtare të kërkimit shkencor.
Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për miratimin, me kusht, të ndryshimit te pronësisë së Selisë së Qendrës së Kërkimeve Hidraulike".
Miratimi i këtij vendimi është kërkuar nga Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, me qellim, krijimin e mundësisë së lirimit të pronës familjes Peligu, ku ndodhet aktualisht Qendra e Kërkimeve Hidraulike e cila është në varësi të Akademisë së Shkencave. Sipas këtij vendimi kjo qendër do të çvendoset në një zonë tjetër, në periferi të Tiranës, sipas përcaktimit në kontratën që do të nënshkruhet midis ish-pronarëve dhe Akademisë së Shkencave si institucion që ka në varësi këtë qendër.
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për emërimin e prefektit të ri të qarkut të Gjirokastrës.
Me propozim të Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, zoti Anesti Deçka emërohet në këtë detyrë për vendin vakant të prefektit të këtij qarku, të krijuar pas humbjes pak kohë më parë të jetës së prefektit Vasil Bici.