E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat, ministrja Spiropali në Bruksel për takime me Komisionin Evropian

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Bruksel për një tur takimesh me përfaqësuesit e lartë të Komisionit Evropian. Vizita vjen në vijim të angazhimeve të intensifikuara diplomatike të Tiranës për procesin e anëtarësimit në BE.

Para takimeve zyrtare, Ministrja Spiropali u takua me Ambasadorin e Shqipërisë në Bruksel, Ferit Hoxha, për të koordinuar strategjinë.

Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Ministrja Spiropali theksoi urgjencën e punës: “Asnjë minutë për të humbur, duke ruajtur ritmin e përshpejtuar të negociatave, për mbështetjen e mëtejshme të transformimit të Shqipërisë, sot e çdo ditë një hap më pranë Evropës.”

Objektivi i anëtarësimit 2030

Progresi i negociatave mbetet prioriteti kryesor. Shqipëria ka hapur tashmë 28 kapituj të procesit, ndërsa synimi i qeverisë është që brenda fundit të këtij viti të hapen edhe 5 kapitujt e fundit.

Plani afatgjatë parashikon që vitin e ardhshëm (2026) të nisë procesi i mbylljes së kapitujve, me synimin final për t’i përfunduar të gjitha deri në vitin 2027, dhe arritjen e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›