Nën shi e të ftohtë: betejat e përditshme të qenve e maceve endacake në Tiranë

TIRANË, 11 janar/ATSH/ – Shiu bie pa pushim mbi Tiranë. Rrugët shkëlqejnë nga lagështia, çadrat hapen e mbyllen me ngut, autobusët mbushen me njerëz që kthehen në shtëpitë e tyre të ngrohta. Qyteti ecën përpara me ritmin e vet, i zënë me hallet e përditshme. Por në anë të trotuareve, poshtë makinave, pranë kazanëve të mbeturinave, ka sy që presin, zemra që rrahin.
Kafshët endacake e kanë sprovë çdo natë që kalojnë në këtë qytet.
Ja pse i sheh të tkurrur poshtë ballkoneve, të fshehur në hyrje pallatesh apo nën strehët e lokaleve, aty ku shpesh nuk janë të mirëpritur. Të tjerë strehohen poshtë makinave të parkuara, pa e ditur nëse ndezja e një motori do të jetë fryma e fundit. Përherë të terrorizuar në një qytet që nuk i do. A thua se nuk ua morëm ne/njerëzit me ndërtimet dhe zgjerimin urban habitatin që u përkiste atyre që në fillim të herës.
Por si të mos mjaftoj i gjithë ky kalvar vuajtjesh, ja ku vjen edhe një armik akoma më i tmerrshëm. Helmimi. Ushqimi i hedhur me dashakeqësi që kthehet në kurth vdekjeje. Ajo që për një kafshë të uritur duket si shpëtim, bëhet fundi i saj. Ky fenomen, i përsëritur, ka tronditur komunitetin e brishtë të mbrojtësve të kafshëve që vetëm para pak ditëve organizoi një protestë ku kërkoi të gjenden e të ndëshkohen fajtorët. Denoncimet janë bërë në polici dhe prokurori, ku sipas aktivistëve, çështjet janë në hetim. Ende nuk ka asnjë përgjigje nga autoritetet.
Për fat, ekzistojnë disa njerëz të mirë në këtë qytet, njerëz të thjeshtë, që harxhojnë kohën, paratë dhe vënë shpirt e zemër për t’u dhënë këtyre krijesave të pambrojtura një mundësi.
Afërdita Halili është një prej tyre. Prej 20 vitesh, jeta e saj është lidhur me qentë e macet e rrugës.
“Kur erdha nga Shkodra në Tiranë, përpara pallatit gjeta mbi 30 qen. Të uritur, të pasterilizuar, të braktisur. Fillimisht i sterilizova, i pastrova dhe i ushqeva. Kështu filloi gjithçka”, rrëfen ajo.
Me kalimin e viteve, janë bërë dhjetëra adoptime, nga Tirana në Shkodër. Sot, ajo mbulon zonën e Liqenit dhe më gjerë. “Numri i tyre ka rënë, por jo sepse u gjet një zgjidhje. Ka rënë sepse janë helmuar”, thotë me dhimbje.
Kristiana Çabej nga fondacioni jofitimprurës “Bambi” tregon se pas çdo vullnetari fshihet një histori personale.
“Një qen i plagosur, një mace e braktisur, një pamje që nuk të del nga mendja – dhe pastaj nuk kthehesh dot më pas. Zakonisht jemi në grupe të vogla, 2–3 persona, por shumë punojnë krejt vetëm. Nuk ka strukturë, nuk ka sistem. Ka vetëm vullnet,” thotë ajo.
Fondacioni ka ngritur një strehë të vogël ku çdo ditë kujdesen për rreth 45 qen: ushqim, trajtim, sterilizim, adoptime. “Gjithçka me donacione dhe nga xhepat tanë,” shton ajo.
Aktivistët i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës vënien në dispozicion të një strehe, të cilën janë të gatshëm ta menaxhojnë vetë. “Nuk kërkojmë fonde, duam vetëm një vend ku t’i mbledhim dhe t’i kemi nën kujdes”, shprehet ajo.
Edhe Blerina Herri, prej dhjetë vitesh, i përshkon rrugët e Tiranës me çanta ushqimi në duar.
“I ushqej, i mjekoj, u gjej familje. Kujdesem edhe për zogjtë. E kam bërë gjithmonë, që fëmijë. E bëj vetëm, por nuk jam ndjerë kurrë më e plotë se kur ndihmoj këto krijesa të pafajshme”, thotë ajo.
Por përtej këtyre historive të bukura njerëzore, që lindin nga dhembshuria, ngrihet një pyetje e madhe, që mbetet pa përgjigje: A do të ketë ndonjëherë një zgjidhje të qëndrueshme për kafshët endacake?
E vërtetë, sot ka më shumë njerëz që i duan, i ushqejnë dhe i mbrojnë. Por ky është përjashtimi. Rregulli mbetet rruga e ftohtë dhe uria e përditshme. Sepse vetëm dashuria nuk mjafton. Duhet dora e institucioneve, e bashkisë, e shtetit. Duhet një plan afatgjatë për strehimin, sterilizimin, trajtimin dhe adoptimin e tyre. Sepse mënyra se si trajtojmë krijesat e pambrojtura nuk është thjesht një çështje/plagë sociale – por është një pasqyrë e vehtes/qytetarisë sonë.
Dhe të kalosh nga dhembshuria tek përgjegjësia, duket se do të duhet ende shumë kohë.
Katerputroshët endacake, Foto: Florian Abazaj 1 nga 27/a.f/