E Diel, 1 Nëntor 2026

Netanyahu para fjalimit në OKB: Do t’i denoncoj ata që duan t’u japin një shtet vrasësve

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi udhëheqësit që njohën së fundmi shtetin palestinez përpara se të nisej për në Shtetet e Bashkuara, ku do të mbajë një fjalim në seancën plenare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të premten dhe do të takohet me Presidentin Donald Trump.

“Në Asamblenë e Përgjithshme, unë do të flas të vërtetën tonë, të vërtetën e qytetarëve të Izraelit, të vërtetën e ushtarëve (izraelitë), të vërtetën e kombit tonë”, tha ai në aeroportin Ben Gurion përpara se të nisej, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij.

“Do t’i denoncoj këta udhëheqës të cilët, në vend që t’i dënojnë vrasësit, përdhunuesit, ata që dogjën fëmijët, duan t’u japin atyre një shtet në zemër të Tokës së Izraelit”, shtoi kryeministri, kundër të cilit u lëshua një urdhër arresti në nëntor 2024 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.

Ai përsëriti se një shtet palestinez “nuk do të ekzistojë”.

Kryeministri izraelit njoftoi se do të takohet me Donald Trump në Uashington për herë të katërt.

“Do të diskutoj me të mundësitë e mëdha që kanë sjellë fitoret tona dhe nevojën për të arritur qëllimet e luftës: të kthejmë të gjithë pengjet tona, të mposhtim Hamasin dhe të zgjerojmë rrethin e paqes që është hapur para nesh”, tha ai.

I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, iu referua dje, të mërkurën, një “plani të ri me 21 pika për paqen në Lindjen e Mesme dhe Gaza”, i cili iu prezantua një ditë më parë nga Donald Trump vendeve arabe dhe myslimane. Ai tha se shpresonte të kishte “përparim” në ditët në vijim./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›