Nevil Dede merr drejtimin e Egnatias

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Nevil Dede është trajneri i ri i Egnatias.
Pas largimit të trajnerit Edlir Tetova, rrogozhinasit kanë përzgjedhur teknikun 51-vjeçar Nevil Dede, i cili rikthehet të drejtojë në Superiore, pas aventurës së fundit në Kosovë, te skuadra e Ferizajt.
Dede ka drejtuar më parë disa ekipe në kampionatin shqiptar, si Tirana, Laçi, Luftëtari, Dinamo, Elbasani dhe Bylis.
Dede do të drejtojë ekipin në dy javët e fundit të kampionatit dhe në fazën “Final Four”, ku kampionët do të tentojnë mbrojtjen e titullit.
“Një kapitull i ri fillon sot. Me firmosjen e kontratës dhe prezantimin zyrtar të trajnerit të ri, Nevil Dede, ekipi ynë nis një rrugëtim të ri me ambicie, pasion dhe objektiva të qarta. Mirë se erdhe dhe suksese në këtë sfidë të re”, thuhet në njoftimin e klubit.
Dede merr përsipër një përgjegjësi të madhe dhe pason një trajner që ka shkruar histori në Shqipëri, si Edlir Tetova.
Egnatia ka siguruar “Final Four”, ndërsa mban vendin e tretë në renditje me 54 pikë, pas Elbasanit dhe Vllaznisë.
Po ashtu skuadra rrogozhinase është kualifikuar edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të përballet me Dinamon.
Debutimi i trajnerit të ri, Nevil Dede, pritet të ndodhë të mërkurën, ndaj Partizanit në shtëpi.
/gj.m/j.p/r.e/