E Premte, 6 Nëntor 2026

Nga Biden te Erdogani, 753 dhuratat e pranuara nga Edi Rama në katër mandate

Më 27 shtator, pas kthimit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kryeministri Edi Rama publikoi një videomesazh nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në të cilin hodhi poshtë akuzat për korrupsion dhe përfitime të paligjshme, duke përmendur mes të tjerash edhe një muze të dhuratave në selinë e qeverisë.

“Sot në kryeministrinë e Republikës së Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri,” deklaroi Rama, duke këmbëngulur se pushteti i tij nuk ishte përdorur kurrë “për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme”.

Deklarata erdhi në përgjigje të akuzave publike për një orë të shtrenjtë që pretendohej se kryeministri e kishte marrë dhuratë nga persona të lidhur me krimin e organizuar. Rama i mohoi akuzat dhe tha se dhuratat e marra gjatë ushtrimit të detyrës ishin regjistruar si pronë shtetërore.

Nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, BIRN siguroi nga Kryeministria katër regjistra të dhuratave që mbulojnë periudhën 2013–2026. Pas eliminimit të regjistrimeve të përsëritura, analiza identifikoi 753 objekte, të dhuruara nga presidentë, kryeministra, diplomatë dhe personalitete të tjera.

Regjistri më i hershëm, që mbulon periudhën 2013–2018, identifikon edhe dhuruesit, duke ofruar një panoramë të marrëdhënieve diplomatike dhe vizitave zyrtare gjatë viteve të para të qeverisjes së Ramës.

Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm turk, Recep Tayyip Erdogan, figuron si dhurues i një pjate me kapak argjendi, ndërsa presidenti francez François Hollande ka dhuruar një pjatë argjendi dhe një gotë, të dyja të zbukuruara me stemën e Francës.

Në listë gjendet edhe emri i Joe Biden, në atë kohë zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara, i regjistruar si dhurues i një ore tavoline të markës Chelsea.

Ish-presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, figuron si dhurues i një guri rubini të vendosur mbi një pllakë mermeri, ndërsa ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhuruar një hartë të Kosovës të punuar në gur.

Mes objekteve të inventarizuara janë gjithashtu dy maska të përshkruara si prej ari, të dhuruara nga kryetari i atëhershëm i Parlamentit maqedonas, Trajko Veljanovski, dhe një shpatë e vogël ceremoniale nga princi saudit Sultan bin Salman bin Abdulaziz Al Saud.

Në regjistrat e mëvonshëm, që mbulojnë periudhat 2018–2020, 2021–2022 dhe 2022–2026, shfaqen qindra objekte të tjera, megjithëse emrat e dhuruesve nuk janë shënuar.

Mes tyre është një orë dekorative me bazament, e përshkruar si “St. Michael Over the Devil” [“Shën Mëhilli mbi Djallin”] , një shpatë e vogël me ngjyrë ari, një objekt argjendi që paraqet Katedralen e Bukureshtit, si dhe një palë këpucë dhe top futbolli të punuara në filigran me ngjyrë ari.

Inventari përmban gjithashtu një replikë të një pikture të Gustav Klimt, një statujë Pegasi, një ikonë të Shën Marisë, koleksione monedhash, medalje përkujtimore dhe objekte dekorative.

Pjesë e koleksionit janë edhe piktura dhe portrete me motive historike e kombëtare, përfshirë një gravurë në bakër të Ali Pashë Tepelenës, një portret të Hashim Thaçit, një pikturë të anijes “Vlora” me emigrantë, si dhe punime që paraqesin heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Përveç veprave artistike dhe objekteve ceremoniale, regjistrat përmbajnë dhjetëra libra, albume fotografike, medalje dhe suvenire përkujtimore, të cilat pasqyrojnë praktikën e shkëmbimit të dhuratave gjatë vizitave zyrtare dhe takimeve diplomatike.

Një pjesë e këtij koleksioni ruhet në muzeun e dhuratave në selinë e qeverisë, të cilit Rama iu referua në shtator gjatë përgjigjes së tij ndaj akuzave për përfitime të paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›