Nga alpet te bregdeti magjik, Rama ndan videokartolinën e Shqipërisë turistike

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj falë bregdetit të pacenuar, kulturës unike dhe atraksioneve natyrore.
Vetëm për periudhën janar-gusht 2025, vendi ka mirëpritur rreth 9 milionë vizitorë të huaj, ose 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, duke konfirmuar kështu trendin rritës drejt një turizmi të qëndrueshëm e gjithëvjetor.
Nga alpet te vija e gjatë bregdetare, Shqipëria ofron një paketë të plotë turistike për çdo tipologji turistësh, ndërsa çdo vit po zgjerohet po ashtu edhe harta e vendeve nga ata vijnë.
Përmes një videokartoline të realizuar për Ditën Botërore të Turizmit, kryeministri Edi Rama përcolli disa prej bukurive nga zonat e mbrojtura, duke nisur nga majat e Alpeve, te liqenet, lagunat dhe bregdeti magjik, si një tjetër ftesë për të vizituar Shqipërinë.
Vendi ynë është klasifikuar përgjatë viteve të fundit nga agjenci turistike ndërkombëtare, si një nga destinacionet më interesante turistike në botë.
Shqipëria është cilësuar nga barometri i turizmit i Organizatës Botërore të Turizmit si magnet për turizmin, ndërsa renditet e para në Evropë dhe në botë sa i takon rritjes së turizmit gjatë vitit 2024.
Ndërkohë edhe për këtë vit vijon trendi rritës i numrit të turistëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se 94% e të huajve vijnë nga kontinenti evropian. Brenda këtij kontingjenti, Evropa Jugore zë vendin kryesor me 70% të hyrjeve, duke u ndjekur nga Evropa Perëndimore dhe ajo Qendrore/Lindore, secila me nga 11%.
/m.m//a.f/