E Premte, 6 Nëntor 2026

Nga emigracioni në Shqipëri, 35-vjeçari kthen pasionin për kuzhinën në profesion falë kurseve të formimit profesional - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Programet e formimit profesional dhe praktikat e mbështetura nga shteti kanë ndihmuar shumë të rinj të ngrenë sipërmarrjet e tyre, duke shërbyer si pikënisje për formimin e bizneseve të reja.

I tillë është edhe rasti i 35-vjeçarit Krenar Muka, i cili zgjodhi të kthehej nga emigracioni dhe të ndërtonte të ardhmen në Shqipëri.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot rrëfimin e Krenarit, i cili tregoi mbi mbështetjen që mori për krijimin e biznesit të tij përmes kurseve të Qendrës së Formimit Profesional.

“Krenari e bëri këtë zgjedhje. Përmes kurseve të Qendrës së Formimit Profesional dhe me mbështetjen e Zyrës së Punës, ai e ktheu pasionin e tij për kuzhinën në një profesion dhe sot punon si shef kuzhine në një nga restorantet më të mira të Tiranës”, tha Koçiu.

Zv.kryeministrja siguroi se qeveria do të vijojë të krijojë gjithnjë e më shumë hapësira dhe mundësi që të rinjtë ta shohin Shqipërinë si vendin ku pasionet dhe ëndrrat e tyre mund të kthehen në histori suksesi.

Krenari tregoi se pas shumë viteve emigrim vendosi të kthehej këtë vit në Shqipëri, ku u regjistrua në kursin e kuzhinës, të cilën e kishte pasion.

“Duke jetuar vetëm prej shumë viteve isha i detyruar që të gatuaja vetë. Më pas Zyra e Punës së bashku me qendrën e formimit profesional më orientuan për të bërë praktikë. Jam shumë i kënaqur dhe ftoj që të rinjtë të ndjekin të njëjtin rrugëtim”, tha ai.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›