Nga ferma në tryezë/ Kamberi: Ja katër shtyllat e rëndësishme të sigurisë ushqimore

Siguria ushqimore mbetet një element thelbësor në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh Geron Kamberi, ekspert për çështjet e integrimit evropian, duke theksuar se zbatimi i standardeve të BE-së është i domosdoshëm për Kapitullin 12 të negociatave.
Sipas tij, censusi bujqësor do të realizohet sipas standardeve të reja evropiane, ndërsa Shqipëria është e detyruar të zbatojë sisteme si gjurmueshmëria, kontrolli fitosanitar, databazat e pesticideve dhe siguria e kafshëve në ferma.
“Censusi bujqësor tashmë do të bëhet në standarde të tjera. BE-ja, nëpërmjet Autoritetit të Sigurisë Ushqimore, i cili e ka zyrën në Parma, Itali, dhe ku Parma është kryeqytet i gastronomisë, ka një sërë standardesh që Shqipëria është e detyruar t’i ndjekë.
Që nga sistemi i gjurmueshmërisë, ASF-ja, databaza e pesticideve, si dhe bimët. Këto shtylla janë të rëndësishme: bujqësia, siguria e kafshëve në ferma, ajo fitosanitare, pra bimët dhe pesticidet. Për secilën nga këto ka rregullore të posaçme që shteti shqiptar i ka përvetësuar në mënyrë graduale dhe është drejt fazës finale, e cila do të varet edhe nga deklarata dhe kuadri negociues që ka përcaktuar Shqipëria për Kapitullin 12. Siguria ushqimore lidhet me sigurinë kombëtare. “ / abcnews.al /