Nga janari nis rivlerësimi i pronave, qytetarët mund të përfitojnë nga norma tatimore 5%

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, nga data 1 janar 2026 deri më 31 dhjetor, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me normë tatimore 5%, duke ndjekur dy rrugë.
“Nëse duan ta nxjerrin në treg në periudhën 2026-2028, do të ishte e udhës të kontaktonin një agjent imobiliar, që të mund të ndihmonte me këshillim për vlerën reale të pronës, t’i tregonte edhe dinamikat e tregut dhe më pas ta ndihmonte edhe me raportin e vlerësimit për të aplikuar në Hipotekë, që prona e tij të rivlerësohet me vlerën maksimale që ka tregu. Nëse nuk do të ndjekë procesin e rivlerësimit të pronës me vlerën reale të tregut, por do të ndjekë vetëm procesin e referencës shtetërore, atëherë çdo qytetar përmes e-albanias mund të aplikojë pranë ASHK për të rivlersuar pronën sipas referencave shtetërore. Por çmimet e referencave që kemi ne sot në fuqi dhe ato që do të hyjnë në fuqi nga janari i 2026 për pjesën tjetër të Shqipërisë, përveç Bashkisë së Tiranës, në përgjithësi nuk janë në përputhje të plotë me tregun”, thotë Reinaldo Pipiria.
Pas aplikimit në ASHK, lëshohet fatura e tatimit mbi diferencën e vlerës, që paguhet në bankë dhe më pas ngarkohet në sistem për përfundimin e procedurës. Pas përfundimit të aplikimit, lëshohet kartela e re e pronës, ku pasqyrohet vlera e përditësuar.
Ndërkohë, për shkak të fushatës së rivlerësimit, agjentët e tregut imobiliar presin që rritja e çmimeve për pronat të jetë me ritëm më të ngadaltë se dy vitet e fundit.
“Tregu i pasurive të paluajtshme në 2026 do të ketë shumë më shumë alternativa, sidomos për ata që duan të kenë shtëpinë e tyre të parë apo duan të përmirësojnë strehimin e tyre. Në kalkulimet tona sot janë të paktën 500 mijë prona, banesa që janë subjekte të rivlerësimit. Është vendim i individëve nëse duan ta rivlerësojnë pronën apo jo. Ne sugjerojmë që nëse ke ndërmend për ta shitur, të përfitojnë nga fushata e rivlerësimit sepse është një kohë shumë e mirë 2026 për të përfituar nga lehtësia fiskale. Pas 2026, nëse qeveria nuk reflekton, do të rikthehemi në normën tatimore 15%”, thotë Reinaldo Pipiria.
Pasi të përfundojë rivlerësimi, ekspertët e fushës presin nga qeveria të rishikojë normën tatimore prej 15% që aplikohet për transaksionet.
“Ne besojmë në vullnetin e ligjvënësve që të reflektojë mbi tatimi 15%. Është tatim shumë i lartë. Pas fushatës së rivlerësimit besojmë se duhet riparë tatimi 15%”, thotë Reinaldo Pipiria.
Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 31 dhjetor 2026, konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit bëhet deri më 31 mars 2027.