Ngarkesë e madhe në Klinikën Emergjente – Kosovë, 100 mijë pacientë trajtuan në 2025, mungojnë specialistët

Viti 2025 ka qenë jashtëzakonisht i ngarkuar për Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Rreth 100 mijë pacientë morën trajtim, një rritje e dukshme krahasuar me vitin e kaluar dhe drejtori Naser Syla thotë se vendi rrezikon të mbetet pa specialistë të mjekësisë emergjente.
“Deri në këtë moment janë 99 mijë e 17 pacientë. Natyrat e sëmundjeve të pacientëve që kërkojnë trajtim, janë prej më të ndryshmeve, prej atyre më të rënda, deri te komunikacioni, lëndimet e ndryshme domethënë, të gjitha llojet e sëmundjeve të mundshme që ekzistojnë trajtohen në Qendrën Emergjente”, deklaron Syla.
“Stafi i lartë i mjekësisë emergjente domethënë është duke u mplakur, mosha mesatare diku mbi 55-vjeç e stafit të lartë që merren me trajtimin e pacientëve, po flas për specialistët e mjekësisë emergjente. Kurse sa i përket kuadrit të mesëm mirë qëndrojmë… Në fund të janarit presim që të dalin diku 17 specializantë të rinj. Domethënë që është minimumi i krejt, i krejt minimumeve prej atyre çka neve na nevojiten. Në dy konkurset e fundit që i ka shpallur Ministria e Shëndetësisë, kanë marrë specializimin njëri tre specializantë, kurse njëri katër, ndërsa ne kemi kërkuar në të dy konkurset nga 15 specializantë. Domethënë është një nivel jashtëzakonisht i ulët. Arsye nuk i di. Nëse vazhdon kështu edhe nëse nuk mund të gjejmë ndonjë zgjidhje, për momentin, atëherë është shumë e vërtetë që rrezikon shteti jonë për të mbetur pa specialistë të mjekësisë emergjente”, thotë ai.
Syla nënvizon edhe domosdoshmërinë e ndërtimit të një objekti të ri për Klinikën Emergjente, për të përmirësuar kapacitetet dhe trajtimin e pacientëve. Aparatura është përmirësuar pas renovimeve, duke përfshirë skanerin, laparoskopin dhe instrumentet kirurgjikale, si dhe barnat Barnat kruciale janë të gjitha në dispozicion, por mungesa e shtretërve në kujdesin intensiv mbetet një problem u shpreh ai.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/