E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngrihet akademia për trajnimin e stafeve të pushtetit vendor

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot autorizimin e ministrit përgjegjës për Çështjet Vendore për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore për krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, një strukturë të përbashkët me bashkitë që do të trajnojë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë punonjësit e bashkive, nga kryetari deri te stafi më i thjeshtë.

Sipas vendimit të marrë qeveria, Akademia do të drejtohet nga një komitet i përbërë nga përfaqësues të bashkive dhe nga qeveria, përmes Ministrit të Pushtetit Vendor. Të gjitha bashkitë do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e saj, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kostove për tri vitet e para. Fondet do të përdoren për trajnime profesionale që synojnë të rrisin aftësitë dhe performancën e administratës vendore në shërbim të qytetarëve.

Me anë të këtij vendimi autorizohet ministri përgjegjës për Çështjet Vendore për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore, për krijimin e subjektit të kompetencave të përbashkëta, në formën e organizatës jofitimprurëse, për zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas vendimit, ndihmesa financiare konsiston në mbulimin e kostos fillestare të themelimit të subjektit të kompetencave të përbashkëta dhe të jo më pak se 50% të kostove operacionale të funksionimit të saj për tre vitet e para të funksionimit për përmbushjen e objektivave.

Ministri përgjegjës për çështjet vendore merr pjesë në komitetin drejtues të subjektit të kompetencave të përbashkëta.

Ndihmesa financiare parashikohet në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

/gj.m//r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›